lunedì 31 maggio 2010

Pajisje antike të avancuara sa për kuriozitet



Zbulimet e disa objekteve të çuditshme që nuk duhet të kishin ekzistuar kanë vendosur prej kohësh një pikëpyetje të madhe rreth njohurive tona për botën.

Veçanërisht tronditëse është evidenca që tregon se thellë në antikitet, raca njerëzore ka qenë shumë herë më e avancuar nga ç'mund të guxojmë të imagjinojmë.

E pakta që bëjnë këto zbulime është që na inkurajojnë të bëjmë pyetje më të thella në lidhje me të shkuarën e botës dhe vetëm me anë të studimeve dhe kërkimeve të pareshtura, njerëzimi ka arritur të lexojë faqet e harruara të historisë së planetit Tokë. Zbulimet kanë qenë tronditëse!

Asnjë cep i botës nuk ka shpëtuar pa qenë dëshmitar i ndonjë enigme të çuditshme apo të fenomeneve të pamundura për t'u shpjeguar.

Katalogu i këtyre zbulimeve mahnitëse është tejmase shokues.

Lente antike të lëmuara, të njëjta me ato që përdorim sot, pjesë baterish antike, observues mahnitësh astronomikë, pajisje të sofistikuara të ngjashme me atë të matjes së lëvizjes së tokës dhe kjo është vetëm një pjesë shumë e vogël e gamës së pasur të zbulimeve që po ndryshojnë perceptimin tonë të botës antike. Ka patur madje edhe evidencë që njeriu mund të ketë patur pajisje fluturuese.

Është një fakt i njohur që legjendat e lashta flasin për fluturime të shpeshta duke përdorur energjinë e pashtershme ley-line. Me anë të disa mjeteve të panjohura për ne, këto "ley-line" kanë qenë të afta të ngrinin në qiell makinat fluturuese të cilat sipas autorit Rene Noorbergen kanë fluturuar rregullisht nga Anglia për në Greqi dhe anasjelltas.

Ai shkruan: "Tradita Druidike na tregon se heronj si Mog Ruith, Bladud dhe magjistari Abiris, të cilët zotëronin pajisje fluturuese, përdornin energjinë e ley-line për të udhëtuar drejt Greqisë".

Zbulimi në Cosos

Në vitin 1961 është gjetur një gur i çuditshëm në Malet Cosos të Kalifornisë. I çuditshëm pasi kur është sharruar për t'u ndarë përgjysëm, është zbuluar se përmbante një lloj pajisjeje të çuditshme mekanike.

Pajisja përbëhej nga një shtresë gjashtëkëndore të një substanceje të panjohur, e cila rrethonte një cilindër porcelani, i cili në vetvete përmbante gjithashtu një bosht metali të shndrritshëm rreth 2 milimetra të gjatë.

Rreth cilindrit të porcelanit ishin vendosur disa unaza koperi, të cilat çuditërisht nuk shfaqnin asnjë shenjë gërryerje.

Objekti u analizua më pas në Shoqërinë e Charles Ford, e cila ishte ajo që konfirmoi se bëhej fjalë për një pajisje mekanike.

Nga fotografitë e objektit dukej qartë se boshti metalik ishte i fiksuar pas një lloj përçuesi dhe kjo bëri që objekti të etiketohej si një pajisje elektrike.

Ekspertët që e ekzaminuan e krahasuan atë me një kandelë. Kjo dukej si një çudi e madhe, por kur gjeologët këmbëngulën se guri në të cilën ishte gjetur pajisja ishte rreth gjysmë milion vite i vjetër, misteri u ngrit deri në qiell. Pse ishte vendosur ajo pajisje brenda një guri? Si e kishin futur? Asnjë përgjigje e besueshme! Vetëm e paimagjinueshmja duket se mund t'i japë shpjegim.

Varësja e floririt

Në vitin 1891 është bërë një zbulim edhe më i çuditshëm. Një grua në Morrisonville Illinois po gërmonte qymyrgurin me lopatë kur një copë e madhe u thye dhe u hap përpara syve të saj.

Ajo u mahnit kur gjeti në brendësi të qymyrit një varëse floriri të mrekullueshme artizanale. Disa ditë më pas gazeta lokale deklaroi: "Zonja Culp mendoi se zinxhiri i kishte rënë dikujt aksidentalisht në qymyr, por kur tentoi ta merrte atë në duar zinxhiri u këput pasi ishte i ngjitur pas qymyrit.

Nga ekzaminimi i bërë dukej qartë se qymyri ishte bosh në brendësi dhe se varësja ishte e ngjitur në të. Kur qymyri u hap në dy pjesë u vu re se njëri cep i varëses ishte i ngjitur në njërën pjesë të qymyrit dhe cepi tjetër në tjetrën".

Zbulimi i Morrisonville nuk ka qenë i vetmi në llojin e tij. Në vitin 1844 është zbuluar një tjetër send floriri në një minierë të Anglisë. Minatorët rastësisht zbuluan një send me fije ari rreth 9 metër poshtë sipërfaqes.

Objekti ishte futur brenda në gur edhe pse mendohej të ishte 60 milionë vjeçar. Sipas revistës "Times", ekspertët dolën në përfundimin se objekti ishte krijuar artificialisht në mënyrë artizanale, por mbetet ende një mister i madh mënyra se si e kanë futur brenda në një gur para kaq shumë vitesh.

Kubi i Salzburgut

Në vitin 1885 është gjetur një tjetër send misterioz në të njëjtat rrethana. Bëhej fjalë për një kub çeliku të futur brenda një blloku karboni. Ekzaminimet e mëvoshme konfirmuan se kubi ishte ndërtuar në mënyrë artificiale dhe gjëja më e çuditshme ishte se bëhej fjalë për një trup gjeometrik perfekt.

Këndet ishin të mprehta dhe tejmase të drejta dhe nuk kishte asnjë dyshim se bëhej fjalë për një objekt të krijuar nga ndonjëlloj makinerie. Për më tepër, mendohet se kubi mund të jetë pjesë e një instrumenti më të madh.

Misteri i burrit nga Rhodesia

Në vitin 1921 zbulimi i një kafke në Rhodesia nxorri në pah një mister tejmase të çuditshëm. Kafka ishte shpuar nga një objekt i shpejtësisë së lartë, të njëjtë me plumbin.

Ky është një fakt misterioz pasi ekzaminimet kanë provuar se kjo plagë është bërë në momentin e vdekjes, jo më pas.

Kjo tregon se kushdo që ka shkrepur plumbin fatal, e ka bërë këtë shumë e shumë vite përpara. Në librin e tij "Sekretet e Racave të Humbura", shkrimtari Rene Noorbergenka ka cituar: "Ekspertiza mjeko-ligjore e autoritetit gjerman në Berlin ka deklaruar se dëmi i kafkës nuk mund të jetë shkaktuar nga asgjë tjetër përveçse një plumbi".

Fakti që kafka është gjetur rreth 100 metër nën sipërfaqen e tokës, provoi edhe më tej se nuk bëhej fjalë për një dëmtim të kohëve të fundit dhe ekspertët mbetën të shokuar.

Në këtë pikë konkluzioni duket mëse i qartë: "Kjo është një provë se në kohët e konsideruara tepër të hershme për jetën inteligjente, kjo krijesë është qëlluar nga një armë e shpejtësisë së lartë që ka krijuar në kafkën e tij një vrimë të rrumbullakët perfekte"

Kompjuteri antik

Një nga zbulimet më të rëndësishme që jep evidenca të pakontestueshme përsa i përket njohurive të mëdha të njerëzve në antikitet, është pajisja e quajtur "Antikythira". Ky mekanizëm misterioz i bërë nga një sërë ingranazhesh dhe rrotash lidhëse u gjet në mbetjet e një anijeje në ishullin grek Antikythira

Menjëherë u duk qartë që bëhej fjalë për diçka të jashtëzakonshme dhe pavarësisht se ishte gërryer mjaft nga deti, ekzaminimet radiografike treguan prezencën e një instrumenti të precizionit të lartë dhe jashtë mase kompleks.

Një tabelë diferencialesh me ingranazhe të ndërlidhura ishte prova e nivelit të avancuar të zejtarisë së atëhershme. Por çfarë ishte?

Në fillim ekspertët hamendësuan se ishte një instrument lundrimi, por investigimet e detajuara treguan se bëhej fjalë për diçka shumë më tepër komplekse.

Disa ngjashmëri të caktuara me disa instrumente astronomike më të vonshme çuan drejt konkluzionit që mund të ishte një planisferë, një mjet kalendarik që jep me saktësi pozocion e yjeve dhe planeteve gjatë gjithë vitit.

Disa mbishkrime të tjera, fatkeqësisht të dëmtuara nga koha, dukej se i referoheshin pozicioneve zodialale me një shkallë përpikmërie të mahnitshme që normalisht kërkon ekspertizë të konsiderueshme.

Fakti më i çuditshëm është se mbeturinat e anijes ku është gjetur ky mjet i avancuar duket se i përket viteve 100 para lindjes së Krishtit. Kjo krijoi tronditje të menjëhershme. Një lloj zejtarie kaq e rafinuar ka qenë e panjohur në atë kohë, madje ka qenë e tillë deri në shek XVI, sipas historisë botërore.

Papritmas, ky zbulim i jashtëzakonshëm ngriti pyetje shumë të rëndësishme. Në mënyrë që të ekzistojë një instrument i precizionit kaq të lartë, gjithashtu duhet të ketë ekzistuar edhe një metodë e sofistikuar prodhimi, por deri në atë moment nuk ishte zbuluar asnjë evidencë që mund të provonte këtë teori.

Pyetja kryesore është: çfarë mund të bëjmë me pajisjen Antikythira? A është vetëm një çudi arkeologjike, një rebelim i thjeshtë i kronologjisë së vendosur, apo përfaqëson një thesar të madh të një teknologjie të pashpjegueshme antike?

Sipas opinionit të ekspertëve, ky instrument e vendos në mënyrë kategorike teknologjinë e asaj nën një dritë tërësisht të re. Jemi duke parë me sy diçka që nuk duhet të kishte ekzistuar para 1500 vjetësh dhe përsëri kemi mbetur të shtangur nga zbulimet e mahnitshme që shfaqen nga boshllëku i madh i njohurive që kemi për këto epoka të hershme.

Por, cilido qoftë kuptimi dhe funksioni i pajisjes Antikythira, nuk duhet të harrojmë se përfaqëson vetëm një gur të çmuar në kurorën e zbulimeve të mahnitshme që janë shfaqur.

Pajisja e lashtë elektrike

Veçanërisht e çuditshme është evidenca e një pajisjeje elektrike të lashtë. Duket se është përdorur në kohën antike në të njëjtën mënyrë që ne përdorim sot energjinë elektrike.

Një zonë veçanërisht e pasur me prova të pësaj pajisjeje është Babilonia dhe Persia e lashtë. Zbulimi i disa vazosh prej argjili të zhgroposura në Irak thanë provën e një zbulimi të mahnitshëm.

Secila nga vazot duket se ishte salduar dhe lidhur me aliazh dhe u ishte vënë në krye një disk bakri të ngulur me bitum. Ekspertët gjithashtu zbuluan me anë të studimeve se miksimi i sulfatit të bakrit dhe acidin acetic u ishte shtuar vazove për të prodhuar rreth 2 volt elektricitet.

Gjatë viteve janë gjetur disa burime të tjera energjie, sikur të kishin qenë pjesë e një industrie të prodhimit masiv. Një tjetër zbulim i mrekullueshëm i rëndësisë së madhe është përdorimi i lashtë i arit të galvanizuar, një teknikë që është zbuluar shumë vonë në kohët moderne.

Llamba të çuditshme

Evidenca e shkruajtura bë letërsinë mistike Hebreje, tregojnë për një burim të çuditshëm energjie dhe për llamba që "ndezin veten". Gjithashtu, të çuditshme janë edhe historitë e lundruesve të shekullit të kaluar.

Shumë detarë kanë përshkruar disa lloj llambash sferike të varura nga vendasit në zonat e xhunglës së Arikës së Jugut. Këto llamba me sa duket janë vet-buruese dhe përdorin një lloj burimi energjie të pamundur për t'u shpjeguar.

Në vitin 1601, një shkrimtar spanjoll dhe eksplorues, i cili ka ndjekur edhe zbuluesit e Amerikës së Jugut, ka shkruar për një lloj shtylle të çuditshme nga ku ndriçonte një objekt i bardhë që bënte dritë për të gjithë zonën rrethuese goxha të madhe.

Historiani antik dhe shkrimtari Pausanias ka shkruar dikur rreth një tempulli me një dritë që ndriçonte vazhdimisht për të paktën një vit rresht. Edhe më shumë ngacmuese janë të dhënat e zbulimit të një varri të Pallasit afër Romës.

Thuhet se varri ndriçohej në brendësi nga një burim drite që e ka mbajtur të ndriçuar dhomën për më shumë se dyqind vjet.

Njohuritë mjekësore

Disa njohuri jo të zakonshme të hershme rreth procedurave mjekësore janë gjithashtu një aspekt tjetër i botës antike. Ndoshta evidenca më e pabesueshme e këtij lloji, është zbulimi i një numri të madh kafkash që i përkasin periudhës Neolite, të cilat duket se janë trepanuar.

Në librin e tij "Kolonia e Tokës", autori Richard Mooney shpjegon procesin në këtë mënyrë: "Trapani në ditët e sotme është një ndërhyrje gjatë së cilës një pjesë e kockës së kafkës hiqet ose për të lehtësuar presionin e shkaktuar nga një tumor apo mpiksje gjaku ose për të hequr cifla kockash të shkaktuara nga ndonjë frakturë të kafkës. Më pas hapësira mbyllet me një pllakë.

Operacioni është mjaft i ndërlikuar dhe kërkon aftësi shumë të mira dhe kujdes të jashtëzakonshëm për t'u kryer. Është e vështirë të besosh se një njeri i kohës Neolitike, i cili mendohet të ketë qenë ekstremisht primitiv, mund të ketë kryer këtë lloj operacioni të ndërlikuar me teknika primitive, me anë të thikës së strallit, pa anestezi dhe pa asnjë nocion higjene".

Por, çudia më e madhe është se mesa duket të mbijetuarit e këtyre ndërhyrjeve kanë jetuar edhe shumë vite më pas. Kjo është diçka e jashtëzakonshme pasi edhe në kohët jo shumë të largëta, pacientët që i nënshtroheshin ndërhyrjeve kirurgjikale kishin një shkallë shumë të lartë vdekshmërie për shkak të infeksioneve dhe helmimit të gjakut.

Zbulimet në Bashkimin Sovjetik

Një evidencë veçanërisht e mirëdokumentuar e kirurgjisë antike të kafkës na vjen nga studimet dhe eksplorimet e bëra gjatë periudhës së Bashkimit Sovjetik.

Ekzaminimi i një numri të madh kafkash të gjetura në Ishtikunuy afër liqenit Sevan në Armeni, treguan një teknikë jashtëzakonisht shumë të zhvilluar të kirurgjisë së kafkës të përdorur mbi 4000 vjet më parë.

Një pacient kishte vuajtur nga një dëmtim serioz i kokës dhe mendohet se kishte patur një pjesë të madhe të indeve të trurit të ekspozuara.

Pavarësisht këtyre vështirësive, kirurgët e asaj kohe kanë arritur të mbyllin shumë mirë frakturën duke i vendosur një kockë kafshe me formë perfekte trekëndore.

Nga mënyra se si indet e pacientit kishin rrethuar kockën e kafshës, mund të thuhej me bindje se gruaja i kishte mbijetuar operacionit dhe kishte jetuar shumë vite të tjera.

Shkencëtarët sovjetikë kanë zbuluar gjithashtu evidenca edhe më të mahnitshme për sa i përket kirurgjisë të drejtpërdrejtë të trurit. Është zbuluar se një grua është operuar me sukses pasi i ishte hequr një objekt i madh sa një gisht, i cili i ishte ngjeshur në kokë. Objekti kishte penetruar direkt në tru.

Në mënyrë të pabesueshme, kirurgët e asaj kohe kishin qenë të aftë të prisnin pjesët anësore të objektit, të hiqnin mbeturinat e mbetura para se ta mbyllnin plagën përsëri duke përdorur kocka kafshësh. Edhe në këtë rast pacienti kishte mbijetuar.

Duke admiruar aftësitë e jashtëzakonshme të këtyre kirurgëve të hershëm, shkencëtari Prof. Jagharian ka vërejtur: "Duke marrë parasysh mjetet primitive me të cilat kanë punuar këta kirurgë, mund të them se kanë qenë shumë herë më të aftë teknikisht se kirurgët e kohëve moderne".