giovedì 6 maggio 2010

Si përgatitet çaji për 28 fruta kuruese


Të gjithë kemi preferencat tona për frutën më të shijshme. Kjo edhe pa e ditur se brenda një kokrre lajthie apo ulliri, gjenden vitamina të shumta, që ndihmojnë organizmin të punojë në mënyrë të shëndetshme. Pa e ditur se me lëngun e degëve të dardhës, mund të ulim temperaturën që i ka kaluar të 40 gradët, edhe pse kemi pirë antibiotikë pa fund. Apo, se me çajin që përftohet nga thana, manat, degët e ullirit mund të kurohen sëmundje të tilla si mëlçia, ulcera në stomak, skleroza, etj. Madje ka fruta të cilat rekomandohen nga Mjekësia Popullore edhe për kurimin e sëmundjeve më të rënda, si ato të zemrës, tensioni, anemia, kanceri. Ajo që është më e rëndësishme, mbi të cilën bien dakord, si Mjekësia Popullore, ashtu edhe ajo moderne e ditëve të sotme, lidhet me faktin se në tryezën tonë nuk duhet të mungojnë në asnjë vakt frutat. Larmia e tyre duhet të jetë e madhe, kjo edhe për faktin se organizmi i njeriut asimilon gjithçka, duke i shndërruar ato në vitaminat dhe karbohidratet bazë për mirëfunksionimin e të gjitha organeve. Pikërisht për këtë arsye, një speciale të veçantë për të gjitha frutat, që përdoren nga Mjekësia Popullore për kurimin e sëmundjeve të ndryshme. Kush janë 28 frutat bazë, si përgatitet çaji kurues, cilat janë sëmundjet që ato shërojnë dhe sa është kohëzgjatja e zierjes, masa e duhur dhe si duhet pirë çaji. Rastet në të cilat duhet përsëritur kura me çajrat e frutave, si dhe ndarjet sipas kategorisë, në frutat të cilave iu zihen rrënjët dhe kërcelli, dhe ato të cilave iu zihen lëkurat, apo edhe vetë kokrrat.

1. ULLIRI
Jo më kot, ulliri është cilësuar si një ndër bimët mrekulluese. Gjethet e ullirit dhe lëvoret e degëve përmbajnë taninë dhe kanë shije të hidhur. Ato kanë veti rrudhëse, tonike dhe antipiretike. Përdoren me rezultate shumë të mira kundër arteriosklerozës, tensionit të lartë të gjakut dhe në rastet e sëmundjeve me temperaturë. Ato kanë veti direkte dhe pakësojnë sasinë e sheqerit në gjak.

Kuron:
1-Arteriosklerozën
2-Tensionin e lartë
3-Ul temperaturën e lartë
4-Pakëson sasinë e sheqerit në gjak
5-Rregullon metabolizmin
6-Rekomandohet për ekzemat në lëkurë
7-Kuron stomakun

Si përgatitet çaji:
Merren 40-50 copë gjethe dhe vihen të zihen në gjysmë litri ujë derisa të mbeten ¾ e sasisë së ujit. Nga çaji i përgatitur pihen 1-2 filxhanë çaji në ditë, pasi filtrohet dhe i shtohet sheqer. Kokrrat e ullirit bëjnë mirë kur i konsumojnë ata që vuajnë nga sëmundja e sheqerit. Është e këshillueshme që diabetikët të hanë sidomos kokrra jeshile, të cilat shuajnë etjen që shkakton diabeti.

2. SHEGA
Lëngu i shegës përdoret me sukses në sëmundjet e stomakut dhe të zorrëve, është freskues dhe mënjanon toksinat (helmet) e organizmit. Ai (lëngu i portokallit) i jep freski mendimit të njeriut. Lulet e shegës përmbajnë taninë dhe kanë veti rrudhëse e tonike; ato rekomandohen në dhimbjet e barkut, në hemorragji, në hemorroidet, si dhe për gargara (shpëlarje të gojës) kundër ënjtjes së bajameve dhe acarimeve të mishrave të dhëmbëve.

KURON:
1-Sëmundjet e stomakut
2-Sëmundjet e zorrëve
3-Dhimbjet e barkut
4-Hemorroidet
5-Ënjtjen e bajameve
6-Acarimin e mishrave të dhëmbëve

Si përgatitet çaji:
Merren 20-30 gramë lule shege në një litër ujë dhe vihen të zihen për gjysmë ore. Nga ky çaj merren 2-3 gota çaji në ditë. Edhe lëvozhga e frutave të shegës ka veti regjëse. Lëvozhga e thatë, para se të përdoret, duhet të vihet në ujë për disa orë që të zbutet. Çaji i lëvozhgave të shegës përdoret kundër diarreve, si dhe për luftimin e krimbave parazitarë të zorrëve. Lëvozhga e frutave të shegës lufton me sukses amebat, të cilat e dobësojnë shumë organizmin, e veçanërisht te fëmijët. Për këtë merren lëvozhgat e një kokrre shege, vendosen në një enë prej balte dhe zihen në gjysmë litri ujë derisa të mbetet gjysma e sasisë së ujit. Pasi ftohet lëngu, pihen dy gota likeri në ditë, një në mëngjes e një në darkë, gjithmonë para buke, për 10-15 ditë. Pa përdorur tjetër ilaç, organizmi do të çlirohet nga amebat.

3. PORTOKALLI
Portokallet janë një ushqim i pasur me vitamina, me veti freskuese dhe treten lehtë në stomak. Lëngu i portokallit ka veti diuretike (Diuretik: Mjet që shkakton urinim të shpeshtë dhe ndihmon veprimtarinë e veshkave dhe të rrugëve urinare) dhe antiseptike (Antiseptik: Që ndalon kalbëzimin ose pengon zhvillimin e mikroorganizmave), e përdoret me sukses në luftimin e sëmundjeve të veshkave edhe në rastet kur janë formuar gurë në to.

KURON:
1-Gurët në veshka
2-Aneminë
3-Laringun
(kur iu ikën zëri)
4-Nervozizmin

Si përgatitet çaji:
Portokallet përdoren me efekt të mirë në luftimin e anemisë, duke pasuruar gjakun me elemente të rinj. Portokalli ka përmbajtje të lartë të vitaminës C. Në 100 ml. lëng portokalli përmbahen 56 mg. vitaminë C. Kjo vitaminë merr pjesë në shumë procese të shkëmbimit të lëndëve në organizëm. Lëvozhgat janë të pasura me elemente aktive. Lëngu i fituar nga zierja e lëvozhgave përdoret edhe në rastet e çrregullimeve të stomakut dhe të zorrëve. Ndërkohë që për sëmundjet e laringut mjekësia popullore këshillon që të merren 10-15 gramë lëvozhga frutash të vihen të zihen për 15-20 minuta në 250 ml. ujë. Nga lëngu i përfituar pihen 1-2 gota në ditë. Kur ky lëng pihet i ngrohtë, bën mirë në rrugët e sipërme të frymëmarrjes, kur ka acarime në grykë apo zënie zëri.

4. PJESHKA
Ky lloj fryti rekomandohet të përdoret kryesisht i freskët ose lëng frutash. Ato kanë vlera të larta ushqyese e kuruese; përmbajnë rreth 10% sheqerna, acide organike, pektinë, vitaminë C dhe R me shumicë, sasi të pakta provitaminë A, vitaminë B1, B2, PP, kripëra minerale, lëndë aromatike etj. Lulet e pjeshkës kanë veti tonike dhe rrudhëse dhe përdoren në formë çaji. Lulet e thara e të kthyera në formë pluhuri, rekomandohen kundër kolitit, dhimbjeve të barkut, rrjedhjes së të bardhave, kundër hemorragjive dhe hemorroideve.

KURON:
1-Kolitin
2-Dhimbjet e barkut
3-Hemorragjitë
4-Hemorroidet

Si përgatitet çaji:
Çaji përgatitet duke marrë 50-70 gramë lëvore degësh, të cilat zihen në 200 ml. ujë, gjersa të mbetet gjysma e sasisë së ujit. Lëngu i frutave dhe vetë frutat e pjeshkës kanë veti të mira tonike, janë freskuese, shuajnë etjen dhe hapin oreksin. Ato bëjnë mirë në mëlçi dhe ndihmojnë në forcimin e elementeve të reja të gjakut.
Gjethet e pjeshkës përdoren në ndalimin e rrjedhjes së gjakut nga plagët. Në këtë rast këshillohet të merren një sasi gjethe pjeshke dhe pasi pastrohen, shtypen bashkë me kripë dhe vendosen mbi plagë.
5. MOLLA
Molla si fryt ka veti freskuese, qetësuese dhe zbutëse. Frutat përmbajnë rreth 15% sheqerna, acide organike e sidomos acid malik, janë të pasura në karotinë (provitaminë A), me vitamina B1, C, E, P, B2, PP, të cilat ndodhen nën lëkurë. Farat e mollës përmbajnë albumina dhe yndyrë.

KURON:
1-Hemorroidet
2-Reumatizmën
3-Kollën
4-Sëmundjet e syve
5-Dhimbjet e veshit
6-Kundër helmimeve

Si përgatitet çaji:
Merren 1-22 kokrra mollë, priten në 2-3 copë secila dhe zihen për 30-40 minuta në 200 ml. ujë. Çaji i mollës ndihmon gjithashtu edhe për funksionimin e mirë të veshkave dhe të fshikëzës urinare; ai përdoret kundër infeksioneve të këtyre organeve. (Ky çaj për kollën dhe reumatizmën). Kurse për hemorroidet vlen këshilla: Merren 1-2 kokrra mollë dhe me anën e rendes kthehen në pure. Pureja e përgatitur, pasi zihet për gjysmë ore, përzihet me 20-30 gramë gjalpë dhe hahet njëherësh, duke qenë esëll. Mjekimi mund të vazhdojnë 20-25 ditë me një ndërprerje prej 2-3 ditësh. Kundër helmimeve merren 20 copë gjethe molle, thërrmohen dhe vihen të zihen në gjysmë litri ujë. Lëngu i fituar pihet në formë çaji. Çaji i përgatitur me mollë të ziera pakëson etjen, zbut acarimin e laringut. Ky çaj përdoret për të zbutur e për të pakësuar të kollurit, kundër zënies së zërit, lehtëson dhimbjet e grykës dhe acarimet e rrugëve të frymëmarrjes dhe të vetë mushkërive.

6. MANDARINA
Frutat e mandarinës janë tretëse, freskuese dhe lëngu i tyre është i pranueshëm edhe nga stomaku i fëmijëve. Në sajë të përmbajtjes së vitaminave, si dhe të një sasie të konsiderueshme hekuri, mandarinat përbëjnë një ushqim shumë të përshtatshëm për pastrimin e gjakut dhe për luftimin e anemisë.

KURON:
1-Aneminë
2-Pastrojnë Gjakun
3-Stabilizojnë metabolizmin
4-Rregullojnë tensionin e lartë

Si përgatitet çaji:
Zakonisht mjekësia popullore e ka përdorur këtë lloj fryti në formën e vet origjinale. Për këtë arsye kryesisht për ata që kanë probleme me aneminë ose sëmundjet e tjera të gjakut, këshillohet që mjekimi me mandarina duhet të vazhdojë 20-25 ditë, duke konsumuar çdo ditë nga 10-15 kokrra ose edhe më shumë. Lëvozhgat e frutave, gjethet, lulet kanë po ato përdorime si te portokalli.
Filizat e reja dhe të frutit të mandarinës të mbledhura në fillim të periudhës së lulëzimit të bimës, përdoren në rastet e helmimeve ushqimore, në ulçerën e stomakut dhe të dymbëdhjetëgishtëzës.

7. FTOI
Ftoi është i ushqyeshëm; ai përmban vitamina A dhe C, sheqerna, pektinë, acide, kripëra minerale, si kalium etj. Frutat e ftoit janë të pasura me lëndë aromatike, të cilat ia shtojnë vlerën. Ftonjtë kanë veti rrudhëse dhe janë përdorur qysh në lashtësi për këtë qëllim. Për qëllime mjekësore përdoren farat e thara, gjethet dhe tuli i ftonjve. Farat kanë shije të lehtë të bajameve të hidhura dhe janë pa erë. Farat thahen në hije me kujdes, ndryshe myken.

Kuron
1-Forcon organizmin
2-Çrregullimet e stomakut
3-Rrahjet e shpeshta të zemrës
4-Pastron zorrët

Si përgatitet çaji:
Merren 1-2 kokrra ftonj, priten në copa dhe vihen në një enë me 1 litër verë të bardhë, ku lihen për 7-10 ditë. Pija e formuar merret 2-3 herë në ditë, nga një gotë pas buke. (Ky çaj përdoret për pastrimin e organizmit). Ndërkohë që për çrregullimet e stomakut merren 1-2 kokrra ftonj, pastrohen dhe priten në copa të vogla, të cilat i ziejmë për një orë në tre çerek litra ujë. Nga lëngu i fituar pihen 1-2 gota në ditë, për 2-3 ditë. Kurse për rrahjet e shpeshta të zemra merren 5 gramë gjethe dhe vihen të zihen në 100 ml. ujë për 10 minuta. Çaji pihet menjëherë. Lëngu i përfituar nga zierja e fletëve të ftoit përdoret për larjen e syve në rast dhimbjesh. Për pastrimin e zorrëve duhen marrë 20 gramë fara nga ky fryt dhe pasi shtypen, zhyten në 100 ml. ujë. Lëngu i fituar pas kullimit pihet njëherësh. Ky lëng përdoret edhe për larjen e plagëve, si dhe për gargara (shpëlarje) në acarimet e grykës.

8. DARDHA
Dardhat përmbajnë kripëra minerale, si: kalium, kalcium, mangan, fosfor, hekur etj., 4-5% sheqer, vitamina C, B1, B2, B6, karotinë, acide organike etj. Ato janë freskuese, qetësuese, largojnë etjen, lehtësisht pastruese të zorrëve dhe japin energji. Kur janë të papjekura, nuk treten lehtë dhe qëndrojnë rëndë në stomak. Në saje të përmbajtjes së hekurit dardhat bëjnë mirë për luftimin e anemisë. Ato bëjnë mirë gjithashtu në mëlçi, pasi nxisin aktivitetin për prodhimin e tëmthit.

KURON:
1-Aneminë
2-Gurët në veshka
3-Ul temperaturën
4-Rrugët urinare
5-Përdoren kundër helmimeve

Si përgatitet çaji:
Merren 40-50 gramë cipa dardhash, në 250 gramë ujë, zihen për 20 minuta dhe lëngu i fituar pihet i ngrohtë, në mëngjes esëll, për 7-10 ditë. Ky lloj çaji përdoret për të luftuar aneminë. Kurse për uljen e temperaturës merren 15-20 gramë të thara (ose 60-70 gramë lëvore të njoma) në 250 ml ujë dhe lihen zihen për gjysmë ore. Çaji pihet njëherësh i vakët. Përdoret gjithashtu për lavazhe të ndryshme, në saje të vetive të tij antiseptike. Ndërkohë që për të rregulluar funksionin në rrugët urinare merren 20-25 gramë gjethe dardhe dhe zhyten në një enë me 250 ml. ujë të vluar. Lihen aty për 10 minuta dhe lëngu i fituar pihet një orë para buke. Përsëritet 2-3 herë në ditë për 10-15 ditë.

9. Pjepri
Për të gjithë ata persona të cilët vuajnë nga pagjumësia, por që nuk kanë gjetur ende zgjidhje me medikamentet apo rekomandimet e mjekëve specialistë, kurat popullore japin siguri maksimale. Sipas tyre, konsumimi i pjeprit largon pagjumësinë, si dhe bën mirë për kancerin e zorrëve dhe të lëkurës. Për këtë arsye pjepri rekomandohet të konsumohet në temperaturën normale, pa e futur në frigorifer, pasi i humbasin vlerat.

KURON:
1-Pagjumësinë
2-Kancerin e lëkurës
3-Kancerin e zorrëve
4-Rekomandohet të konsumohet në temperaturë normale.

Si përgatitet çaji:
Merret lëvorja e pjeprit zihet përreth 60 minuta në 3 litra ujë dhe më pas vihet në frigorifer. Ky çaj u rekomandohet të gjithë atyre personave që kanë probleme me pagjumësinë. Ndërkohë që ata mund ta konsumojnë pjeprin edhe në mënyrën e tij natyrale, por kjo vetëm në rastet kur pagjumësia nuk është kthyer ende në një sëmundje kronike. Ndërkohë që për kancerin e lëkurës dhe atë të zorrëve rekomandohet që të merret tul nga fruti, të përzihet më mjaltë dhe të konsumohet për 20 ditë me radhë në mëngjes.

10. Qershia
Duket e pabesueshme, por është e vërtetë. Qershitë bëjnë të mundur uljen e kolesterolit në trup. Madje ndryshe nga shumë fruta të tjera, për përdoruesit e qershive vjen edhe një lajm i mirë nga mjekësia popullore. Pasi ata mund të hanë sasi të mëdha qershie dhe të mos shëndoshen, përkundrazi ky frut bën të mundur rënien nga pesha si dhe kontrollon nivelin e yndyrnave në gjak.

KURON:
1-Bën të mundur uljen e nivelit të kolesterolit
2-Ndihmon në rënien nga pesha
3-Kontrollon nivelin e yndyrnave në gjak

Si përgatitet çaji:
Për të rregulluar nivelin e kolesterolit në organizëm merren 10- 15 kokrra qershi në 200 ml. ujë (duke shtuar 6 gramë acid borik për plagët). Lëngu që del nga kjo përzierja përdoret edhe për të rënë nga pesha. Ndërkohë që për ata që kanë shumë yndyrna në gjak merren 30-40g. gjethe dhe lëvore degësh të njoma nga pema e qershisë, zihen me një litër ujë dhe ziejnë për 10-15 minuta dhe çdo darkë duhet pirë një gotë nga ky lëng, por të jetë i vakët. Rezultate edhe më të mira jep këshilla e mëposhtme:
Përgatitet një çaj i kombinuar me gjethe qershie dhe gështenje, duke marrë nga 15-20 gramë të çdo lloji në një litër ujë dhe pastaj pihet darkave.

11. BANANET
Bananet janë shumë të rëndësishme në përdorimin kundër hemorragjisë cerebrale, po ashtu ato ulin tensionin e lartë, ulin aciditetin e stomakut, si dhe ndihmojnë kundër diarresë. Në qoftë se vuani nga tensioni i lartë, duhet të mendoni gjithmonë për frytin tropikal të bananes. Dielli është ai që ngre tensionin, ndërsa banania bën të kundërtën e tij. Studimet kanë treguar se banania është një frutë shumë e pasur me kalium, dhe si e tillë ajo ndihmon në uljen e rrezikut të hemorragjisë cerebrale. Banania është burim kaliumi, një frutë e tillë ka 396 miligramë ose 11 për qind të mineraleve të nevojshme të një dite. “Dy deri tre banane në ditë janë optimale”, thotë Biofisikanti David Young. Nëpërmjet kësaj frute ndodh ulja e ndjeshme, që shkakton kundër aciditetit të lartë në stomak. Banania mbron stomakun, pasi arrin të bllokojë bakteret që mund të jenë aktive në të.

KURON:
1-Ulin tensionin e lartë
2-Janë kundër diarresë
3-Ul rrezikun e hemorragjisë cerebrale
4-Banania mbron stomakun

Si përgatitet çaji:
Zakonisht për kurimin e sëmundjeve të ndryshme nuk përdoren gjethet e frutës së bananes apo të pemës, por vetë tuli. Kështu këshillohet që të grihen në një enë 5 banane dhe të përzihen me mjaltë. Konsumimi i kësaj lloj përzierjeje bën të mundur rregullimin e stomakut dhe largon helmet nga trupi i njeriut. Një kurë tjetër është edhe përzierja e 4-5 bananeve me qumësht ose me kos, përdorimi i së cilës ul rrezikun e hemorragjisë cerebrale dhe ul tensionin e lartë.

12. LULESHTRYDHJA
Luleshtrydhja përmban glikozidet e hidhura, insulinën, taninet, vitaminën B, C dhe provitaminën A, shumë minerale, ka përqindje të lartë të kripërave të kaliumit, sidomos në gjethe, karotenoide, proteinë, pektinën, holinën etj. Në rast se konsumatorët e kanë të vështirë në periudha të caktuara që të gjejnë luleshtrydhe në treg, atyre u këshillohet edhe përdorimi i lëngjeve të frutave me luleshtrydhe, por që nuk përmbajnë gaz.

KURON:
1-Pastron gjakun
2-U rekomandohet anemikëve
3-Stabilizon nivelin e kolesterolit në gjak
4-Rekomandohet edhe si lëng frutash i shtrydhur

Si përgatitet çaji:
Në gjysmë litri ujë hidhen 100 ml. uthull. Në përzierjen uthull-ujë zihen për gjysmë ore 50-60 gramë rrënjë luleshtrydhe. Me lëngun e fituar bëhen shpëlarje të gojës 2-3 herë në ditë. Filizat e reja dhe majat e luleshtrydhes të mbledhura në fillim të periudhës së lulëzimit të bimës, përdoren në rastet e helmimeve ushqimore, në ulcerën e stomakut dhe të dymbëdhjetëgishtëzës.