martedì 25 maggio 2010

Çaushesku, gjeniu i egër i Karpateve


Për filmin e tij, Andrei Ujica ka zgjedhur imazhe mes qindra orëve në arkivat audiovizuale.

Autor i një trilogjie për fundin e komunizmit, regjisori rumun prezantoi në Kanë një film të distancuar për diktatorin

Imazhe drithëruese nga marrja në pyetje e një çifti që rri i mbërthyer pas tavolinës: Elena dhe Nikolae Çaushesku nuk hapin gojë, refuzojnë t'i përgjigjen ushtarakut që i ka marrë në pyetje dhe i bën thirrje Asamblesë kombëtare. Jemi më 22 dhjetor 1989. Orët e fundit të diktatorit rumun dhe gruas së tij janë transmetuar nga televizionet e mbarë botës.

Kjo është pika e nisjes së autobiografisë së Nikolae Çausheskut paraqitur jashtë konkurrimit në Festivalin e Kanës. Nuk është një dokumentar i thjeshtë, sipas regjisorit Andrei Ujica, autor i një trilogjie për fundin e komunizmit, por një film prej tre orësh i mbështetur në arkiva.

Pse jo, sado që ansambli është kompozuar nga mijëra orë të pamjeve zyrtare, të propagandës dhe të filmave personalë të familjes Çaushesku, Ujica ndërton një dëshmi të distancuar, të ftohtë, të mbretërisë së Udhëheqësit, që nga ardhja e tij në pushtet më 1965 deri në rënie.

I përpiktë dhe rigoroz si një arkivist që ka në dispozicion 1 000 orë për të montuar historinë e tij, Andrei Ujica krijon një kopje bruto, një lloj historie pa fjalë dhe pa asnjë koment, as pika referimi të datuara. Dhe në fakt kjo nuk e ndihmon për të identifikuar misterin e një anëtari me influencë të Partisë Komuniste Rumune që u bë President i Rumanisë.

Asgjë spektakolare në këtë ngjitje përkundrazi, nënshtrimi dhe përkushtimi ndaj partisë i një njeriu po aq gri sa dhe pardësyja e tij e përjetshme, por që shpejt hyn në rolin e babait të kombit ku ideali marksist është sinonim i lumturisë.

Ai takon de Gaulle-in dhe Nixon-in, viziton Kinën e Maos dhe Hollivudin, del kundër ndërhyrjes së Sovjetikëve në Çekosllovaki në emër të mosndërhyrjes në punët e brendshme të një vendi. Është më shumë nacionalist se sa internacionalist socialist.

E shohim në tregjet e tejngopura me ushqime, hipur në tramvaj ose duke vizituar uzina dhe kantiere. Turmat brohorasin, i këndojnë të ardhmes dhe rinia ia nis të kërcejë tuist.
Fundi i vallëzimit do të jetë më tragjik, po përpara kësaj, Çaushesku do t'i kishte lënë një gjurmë të thellë vendit, duke e transformuar "ndërgjegjen komuniste në fuqi revolucionare".

Thënë ndryshe, duke iu referuar atij dhe gruas së tij Elena, pushtet të plotë përtej duartrokitjeve. Nën udhëheqjen e shokut Çaushesku, teatri dhe letërsia do të jenë socialiste dhe shkencëtarët do të punojnë veç nën komandën e Shtetit.

Duke zbuluar sot këto imazhe, këto slogane, këta njerëz të nënshtruar, të krijohet përshtypja sikur po shikon përsëri të njëjtin film të keq. Ka ndodhur dje. Ankthi është shndërruar në një dhomë kuriozitetesh që vazhdojnë të të trishtojnë.