venerdì 28 maggio 2010

Misteret e Mehmet Shehut, Llambi Ziçishtit dhe Myslym Ketës


Cilat janë të fshehtat e ish-kryeministrit që u gjet i vdekur në dhomën e tij. Bëhet fjalë për ish-kryeminstrin dhe krahun e djathtë të Enver hoxhës gjatë gjithë kohës sa ishte gjallë, Mehmet Shehu. Po ashtu edhe misteret e Llambi Ziçishtit dhe Myslim Ketës. Shehu pasi drejtoi vendin për afro 30 vjet si kryeministër, u gjet i vdekur në dhomën e tij, më 18 dhjetor të vitit 1981.

Ky por edhe mistere të tjera që kanë të bëjnë me veprimtarinë e këtij njeriu shteti, do të jenë në qendër të rubrikës. Që nga vdekja e tij e deri tek marrëdhëniet e me Enver Hoxhën, ekzekutimi i shumë shokëve të tyre gjatë qeverisjes, por edhe qëllimet e tij për të rrëzuar Sekretarin e Parë të Partisë nga pushteti, duke u lidhur me agjenturat e huaja.

1. Pa dyshim misteri më i madh që lidhet me figurën e Mehmet Shehut, ka të bëjë me atë nëse ai është vetëvrarë apo e kanë vrarë?
Vetëvrasje apo vrasje, ajo e Mehmet Shehut? Është një nga dilemat më të mëdha që ka shoqëruar opinionin mediatik gjatë gjithë periudhës së ardhjes së sistemit demokratik në Shqipëri. Janë thënë e ç'nuk janë thënë lidhur me vdekjen e kryeministrit më jetëgjatë të Shqipërisë. Fakte e kundrafakte kanë sjellë në dritë të reja dhe mistere, të cilat edhe pse kanë qenë të shumta, nuk kanë arritur ende të tregojnë me saktësi nëse ishte një vetëflijim apo një ekzekutimi tipit mafioz, ai i Mehmet Shehut.

Po t'iu referohesh të gjithë të dhënave të sjella deri më sot, të rezulton se ishte një vetëvrasje, por që motivet kanë shumë mangësi në sqarimin e tyre. Letra që atij iu gjet në dhomën e tij është një fakt kokëfortë, i cili tregon se Mehmeti kishte vendosur të largohej nga kjo jetë me një dëshpërim të thellë. Deri më tani është thënë që fejesa e djalit të tij me një vajzë e cila vinte nga një familje jo e denjë politikisht, ishte arsye kryesore e vetëvrasjes së Mehmet Shehut. Në një mbledhje të datës 17 dhjetor të vitit 1981, Mehmeti ishte kritikuar rëndë nga shokët e Byrosë. Enver Hoxha ishte ai i pari që iu kundërvu njeriut më të afërt të tij për një periudhë thuajse tridhjetëvjeçare. Në atë mbledhje u bë një mori kritikash për kryeministrin.

Ai kritikohej për shkelje të vijës së Partisë dhe se veprimet e tij të kohëve të fundit ishin të nxituara dhe duhej që t'i bëhej patjetër vërejtje. Të gjithë në atë mbledhje kishin qenë kundër tij. Ndryshe nga herët e tjera, anëtarët e Byrosë Politike ishin në garë se kush ta sulmonte më parë. Sipas byroistëve të asaj kohe, Mehmeti po bënte pazarllëk me imperialistët dhe kishte zbutur luftën e klasave. Po kush ishin këta byroistë që kritikonin njeriun thuajse më të fuqishëm të vendit deri në atë kohë, duke parë që shëndeti i Enver Hoxhës ishte drejt degradimit pas disa sëmundjeve të njëpasnjëshme që ai kishte kaluar. Në atë mbledhje diskutuan Lenka Çuko, Simon Stefani, Ramiz Alia, Manush Myftiu, Rita Marko e të tjerë, që kryeministri iu kishte dhënë dorë të ngjiteshin deri aty ku ishin në ato momente. Deri më tani mund të thuash që Mehmet Shehu ka vrarë veten pikërisht nga mospranimi i kritikave që do t’i bënin kryeministrit këta byroistë.

Ana tjetër e medaljes është dhe një ekzekutim eventual i tipit mafioz, që jo rrallëherë e kishte praktikuar Enver Hoxha. Kjo ka më pak të dhëna, siç është veshja e kryeministrit me rrobat e shtëpisë. Po ashtu, në favor të ekzekutimit të tij është dhe autokritika e tij që do të lexonte të nesërmen në Byronë Politike. Atëherë pse duhet ta shkruante ai këtë nëse kishte vendosur të vetëflijohej?

2. A ka qenë një poliagjent siç u deklamua pas vdekjes së Mehmet Shehut? Për çfarë e takoi Mehmet Shehu kryeministrin francez, Shaban Delmaz dhe pse kërcënoi shoqëruesit e tij me burg, në rast se dekonspironin këtë takim të fshehtë?
Në periudhën komunizmit, në vitet 1945-1990, ishe apo nuk ishe agjent, kjo nuk varej shumë prej asaj çka ishe në të vërtetë, po prej asaj nëse Sigurimi kishte arritur të siguronte ndonjë provë kundër teje.

Kështu me ish-kryeministrin e vendit për afro tridhjetë vjet po punohej të gjendeshin prova kundër tij si pro perëndimor, që ishte e ndaluar rreptësisht në atë kohë. Pas kritikave që iu bënë pas vdekjes, iu gjetën disa lidhje kinse ishin me qëllim rrëzimin e pushtetit nga duart e Enver Hoxhës dhe vendosjen e një liberalizmi më të madh të jetës, ku pluripartitizmi do të ishte baza e shtetit të së ardhmes në optikën e Mehmet Shehut. Në një vizitë që kishte bërë në Francë, në një klinikë të këtij vendi, Mehmeti kishte kërkuar që të kishte një takim jo protokollar "tète à tète" me kryeministrin francez, Shaban Delmaz, por me një konditë, që "ky takim të mos dekonspirohej në mass-mediumet" dhe se përgjegjësia e atyre që do ta dekonspironin sekretin do të ishte e madhe, deri në burg".

Ishte një shprehje identike si ajo e dikurshme, kur realizoi takimin me Josif Broz Titon dhe Randolf Çurçillin, në anijen "Kuin Elisabet", ku ai do të vinte para përgjegjësisë Llambi Peçinin, në rast se do të dekonspironte takimin me ta. Për kryeministrin francez kishte kritika në shtyp për jetën e tij të lirë private, si dhe për linjën proamerikane të politikës së tij, që konsiderohej pak a shumë si largim nga politika tradicionale e De Golit, për të ruajtur identitetin e linjës që po ravijëzohej si në Francë dhe në Gjermani, e ashtuquajtura "Ost-Politik", e cila mori konturime të qarta, sidomos pas daljes së Francës nga NATO. Brenda dy ditësh u mor konfirmimi nga kryeministri francez dhe u caktua dita dhe ora e takimit. Ky takim u realizua, por u dekonspirua shpejt dhe, ditën e nesërme, agjencitë kryesore të lajmeve dhanë njoftimet me komente politike, sipas interesave të tyre, të cilat bënin interpretime nga më të ndryshmet.

Ky takim u mor vesh dhe nga Enver Hoxha, dhe në diskutimet që u bënë në Byro kundër Mehmet Shehut iu përmend dhe ky fakt, si një moment ku tregohej lidhja e kryeministrit me imperialistët dhe aleatët e tyre. Kjo ngjarje ndodhi pikërisht në kohën kur zbulimi i jashtëm shqiptar kishte mjaft informacione nga burime të veprimtarisë së fshehtë, si në radhët e emigracionit politik, ashtu dhe në radhët e diplomacisë së fshehtë, për një aktivitet të shtuar të disa zbulimeve të huaja që po riaktivizonin si agjenturën e vjetër, ashtu edhe atë të rekrutuar nga subjektet tona, si në Lindje ashtu edhe në Perëndim, me detyrë kryesore ndryshimin e regjimit të Hoxhës. Sipas tyre, kjo do të arrihej me anë të veprimtarisë agjenturore me një pikësynim sintezë: Në pamundësi për të bërë përmbysje, t'i shkohej opinionit për liberalizimin e tij për krijimin e një sistemi, që të qëndronte midis sistemit vetadministrues liberal jugosllav dhe socializmit suedez.

Nga ana e saj, diplomacia e fshehtë shqiptare po bënte përpjekje për hapje në Perëndim, veprimtari e cila u sigurua qysh në fillim nga fqinjët tanë, gjë që vërtetohet nga dokumentet e arkivës së Departamentit të Shtetit Amerikan, si dhe nga aktiviteti konkret i shërbimeve të fshehta të tyre të dokumentuara në arkivat tona. Në këtë kontekst politik dhe agjenturor zhvillohet dhe takimi i M.Shehut me kryeministrin francez, i cili pati jehonë të madhe, si dhe interesim të skajshëm nga fqinjët tanë, si dhe nga agjentura dhe politika e shtetit sovjetik.

3. Cili është plani i Mehmetit për të helmuar Enver Hoxhën?
Është një mister shumë i madh që do të duhet një periudhë e gjatë për të vërtetuar një plan të tillë të ish-kryeministrit të vendit në periudhën 1953-1981. Një letër që është publikuar në shtypin periodik të kohëve të fundit, ka treguar se si një udhëheqës i lartë me kodin M 008 do të helmonte diktatorin komunist, Enver Hoxha. Kjo ka ngelur më tepër në kuadrin e spekulimit dhe nuk dihet me saktësi, nëse Mehmeti e donte vdekjen e Enverit dhe a ka pasur ai synim që të ishte pasuesi i Enver Hoxhës në periudhën që ai do të rrëzohej nga pushteti.

4. A ka ndikim Mehmet Shehu në eliminimin e shumë figurave të sistemit diktatorial? Si e zuri vendin e Koçi Xoxes?
Konfliktet në Byronë Politike të KQ nuk do të kishin të sosur. Në vazhdën e përplasjeve brenda Partisë Komuniste Shqiptare, këtë herë radhën për të qenë përballë togave të zeza të asaj kohe, e kishte Koçi Xoxe, një nga themeluesit e PKSH-së. I deleguari i Grupit Komunist të Korçës, që së bashku me të atin vuri gjthçka kishte në shërbim të Lëvizjes Komuniste e Luftës Çlirimtare, i duhej të përballej me akuzën e rëndë të "veprimtarisë armiqësore". Më të devotshmit në goditjen e tij, ishin Mehmet Shehu dhe hetuesi Bedri Spahiu, të cilët nuk do të linin gjë pa thënë për ish-drejtuesin e Sigurimit të Shtetit dhe ministrin e Punëve të Brendshme. Dëshmitarët e asaj kohe tregojnë për një klimë mbytëse që ishte krijuar nga qëndrimet e ashpra të Sigurimit të Shtetit, aq sa njerëzit ishin shumë të frikësuar nga ky shërbim famëkeq, për veprimtarinë e të cilit, kishte dijeni Enver Hoxha. Përkrahësit e Hoxhës këtë herë gjetën rastin të godasin fort, madje, në këtë pikë duke e ditur se do të kishin mbështetjen e këtij të fundit.

Në kohën që Ministria e Brendshme ishte në duart e Xoxes, në të vërtetë kryente disa survejime të funksionarëve të Partisë, por të gjitha këto kishin marrë edhe miratimin e Enverit, pasi ky i fundit luante me dy porta. Madje, edhe fjalimin që Koçi Xoxe mbajti në dhjetor të vitit 1947, me rastin e hapjes së Shkollës së Partisë, ku ai trajton marrëdhëniet me Jugosllavinë, për të cilin u akuzua si projugosllav, e kishte parë dhe miratuar më parë Enveri. Koçi Xoxe pranoi se kishte bërë survejimin e Mehmet Shehut, pasi kishte informacion se tek ai shkonte Sejfulla Malëshova dhe këtë e kishte realizuar pas Vendimit të Byrosë.

5. A ka vepruar kundër interesave të popullit të tij?
Duke i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje, në mënyrë retrospektive duhet të bëheshin analizat shkencore të ngjarjeve, sidomos të diplomacisë dhe shërbimit të fshehtë, të mbushura jo vetëm me informacione, por edhe me dizinformime të tipit makjavelist. Gjithashtu, shtrohet pyetja tjetër: A ishte Shqipëria aq e pasur me kontribute e intelektualë të shquar, sa t'i sakrifikojmë ata me pa të drejtë për shkak të bindjeve, të mendimeve të kundërta? Kështu ia vlen që të bëhet edhe një vlerësim.

Ai duhet të nisë nga një varg informacionesh, jo nga ato të pakonfirmuara, por nga burime të vërteta, e të pavarura. Sipas historianëve të periudhës dihet që Mehmeti ishte promotor i luftës së klasave, që në kushtet dhe rrethanat e kohës konsiderohej, "parimor, i prerë në vendime dhe i papajtueshëm me gabimet dhe fajet, për të cilat ai ishte i pari që kërkonte dënime të rrepta". Sipas vajzës së tij më vonë ai nisi të mendonte për çka kishte bërë dhe madje ndjente keqardhje për to. Kuptoi gjithashtu se si e kishte përdorur Enver Hoxha në eliminimet e mëparshme. Por, atëherë ishte tepër vonë pasi edhe ai ishte vënë prej kohësh në shënjestrën e Hoxhës, i cili mundi ta mbyllë kapitullin "Shehu" më 18 dhjetor 1981.

Cilat janë të fshehtat e ish-ministrit të Shëndetësisë në periudhën e komunizmit
Tre misteret e Llambi Ziçishtit

Llambi Ziçishti, një nga figurat që ishte i përkëdhelur nga Enver Hoxha, ka pasur shumë enigma të cilat u mbuluan së bashku me trupin e tij dhe mund të zbardhen shumë kohë më pas ose ndoshta nuk të dalin kurrë në dritë. Që nga asistimi i tij në klinikën franceze, ku po operohej Hysni Kapo dhe roli i tij në ecurinë e shëndetit të ish-sekretarit të Parë të Partisë, deklarata e për vdekjen e Mehmet Shehut dhe deri në dënimin që u bë duke u akuzuar si pjesëmarrës në organizatën kundërrevolucionare nën drejtimin e Mehmet Shehut.

Mister mbetet vizita në Paris kur atje ndodhej i shtruar Hysni Kapo. Pse ish-ministri i Shëndetësisë, Ziçishti, nuk u interesua kurrë për shëndetin e krahut të djathtë të Enver Hoxhës gjatë gjithë kohës që qëndroi atje?
Në vitin 1979, kur Hysni Kapo ndodhej i shtruar në një klinikë të Parisit nga një sëmundje e rëndë, për ta shoqëruar atë përveç familjarëve që ishin medoemos prezent, kishin shkuar edhe anëtarë të Byrosë dhe qeverisë së asaj kohe. Kështu, në fillim ishte Kadri Hazbiu dhe me ikjen e këtij të fundit, atje shkon Ramiz Alia dhe ministri i Shëndetësisë së asaj kohe, Llambi Ziçishti. Duke qenë se gjendja e Hysniut ishte e rëndë, ky mobilizim i udhëheqjes së asaj kohe ishte fare normal. Mirëpo, duke qenë se vdekja e krahut të djathtë të Enver hoxhës ngeli një mister nëse ishte një vdekje nga sëmundja apo erdhi e imponuar duke e futur në kurth, roli i ministrit të Shëndetësisë është për t'u marrë në konsideratë me praninë e tij në kryeqytetin francez.

Hysni Kapo në momentin që iku në drejtim të Francës ishte në një gjendje jo shumë kritike duke parë se ai iku me këmbët e veta. Atij pranë i qëndroi bashkëshortja e tij, Vito, e cila ka treguar të gjitha detajet e momenteve të fundit të Hysniut. Ajo është shprehur se për çudi të të gjithëve, kur Hysniu ishte në çastin e fundit, ministri i Shëndetësisë, Llambi Ziçishti, jo vetëm që nuk mori pjesë në ekzaminimet që iu bënë Hysni Kapos, por as që u interesua fare tek mjekët francezë. Ky është një moment shumë i mistershëm në jetën e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ziçishti, nëse ai kishte shkuar atje për të përfunduar porosinë që Hysni Kapo duhet ta përfundonte jetën pikërisht në klinikën e Parisit. Ky fakt i bëri përshtypje edhe Ramiz Alisë, duke i thënë se duhet të ishte patjetër i pranishëm në operacion, pasi ky ishte qëllimi i tij që kishte shkuar aty.

Llambi as këtë herë nuk u bë i gjallë të ishte prezent në sallën e operacionit, duke bërë që dhe Hysni Kapo të shprehej "Po ky derëziu ministër, pse nuk po duket fare?! Përse ka ardhur në Paris?!". Vito Kapo kur ka treguar detajet lidhur me praninë e ministrit të Shëndetësisë në Paris, për takimet ka deklaruar se ai ishte tepër i tronditur dhe seç kishte një si lloj frike që i konstatohej më mirë kur i kërkohej për të takuar Hysniun. Gjendjen e vazhdueshme të Hysniut për të raportuar në Tiranë e merrte nga Petrit Gaçe, doktori personal i Hysniut, apo dikush tjetër, dhe nuk interesohej vetë të ishte pranë. A ka rol ai në vdekjen e Hysni Kapos, apo jo, është më tepër se enigmatike, pasi kjo u zhduk bashkë me jetën e tij kur e pushkatua në vitin 1983. Po t'ju referohemi dëshmitarëve të kohës, na rezulton se çdokush ka të drejtë të dyshojë tek qëndrimi i Llambi Ziçishtit kundrejt Hysni Kapos. Pa dashur të bëhen aluzione, mund të themi që ish-ministri i Shëndetësisë së periudhës së komunizmit, ka një lloj misteri ndoshta të pazbardhshëm ndonjëherë lidhur me jetën e ish-komisarit politik të Brigadës V Sulmuese, Hysni Kapo.
Deklaratat e tij në gjyq, që Mehmet Shehun e kishin vrarë dhe më pas tërheqja e kësaj deklarate, është një nga pjesët e misterit të Llambi Ziçishtit?

Pas momentit të dyshimtë që kishte të bënte me vdekjen e Sekretarit të Partisë, Hysni Kapo dhe roli që kishte ministri i Shëndetësisë së asaj kohe në këtë vdekje, vjen një moment tjetër i dyshimtë që ka të bëjë me Llambi Ziçishtin. Më 18 dhjetor të vitit 1981, në ambientet e shtëpisë së tij gjendet i vdekur kryeministri i asaj kohe, Mehmet Shehu, në rrethana të pashpjeguara plotësisht edhe sot. Kur pranë trupit të tij shkojnë për t'i bërë ekspertizën, ndër specialistët e pranishëm ishte detyrimisht dhe ministri i Shëndetësisë. Pasi pa trupin e Mehmet Shehut, Llambi deklaroi në mënyrë të menjëhershme dhe të prerë, "kjo është një vrasje dhe për mua nuk ka asnjë dyshim".

Kjo bëri që të hidheshin shumë diskutime lidhur me këtë pohim të tij. Pas një presioni apo dhe të mekanizmave që përdoreshin në atë kohë, kur erdhi momenti i firmosjes së procesverbalit, Llambi Ziçishti deklaroi se kjo ishte një vetëvrasje. Është padyshim mister dhe mënyra se si deklaroi ai në fillim dhe ndryshimi i mendimit nga ana e tij kur erdhi çasti i firmosej. Cilat ishin mundësitë nëse ai do të mbante atë pohim? A do të kishte një hetim të mëtejshëm të vdekjes së njeriut më të rëndësishëm në atë kohë, siç ishte një nga kryeministrat më jetëgjatë në historinë moderne të botës?

Kush ishte ai që e bindi Ziçishtin të ndryshonte pikëpamjen dhe të firmoste pa u bindur një procesverbal farsë, të cilin bashkë me vdekjen e Mehmetit u mbyllën dhe procedurat e hetimit. Kupola drejtuese e asaj kohe vendosi që vdekjen e kryeministrit ta quante një vetëvrasje në kushtet e një depresioni të thellë. Me hapjen e dokumenteve arkivore të periudhës së komunizmit, ndoshta do të gjendet ndonjë e dhënë për sa i përket këtij deponimi paraprak që ka bërë Llambi Ziçishti për vdekjen e Mehmet Shehut. Kur bëri këtë deklaratë, ish-ministri i Shëndetësisë me siguri nuk ishte menduar gjatë, pasi nëse do të kishte qenë në kombinacionet e kupolës drejtuese, atëherë menjëherë do të thoshte që është një vetëvrasje dhe nuk ka dyshim.

Një nga misteret më të mëdha që ka marrë me vete Llambi Ziçishti është padyshim ky pohim, që nëse do të ishte marrë seriozisht, do të kishim një pistë tjetër hetimi për vdekjen e ish-kryeministrit. Llambi Ziçishti, në një moment më të vonshëm e kundërshtoi me forcë se kishte bërë një deklaratë sikur Mehmet Shehun e kishin vrarë. Kjo tërheqje me dëshirë apo me presion rri i mbuluar së bashku me trupin e tij.
Ende nuk dihet nëse Llambi Ziçishti u dënua se ishte bashkëpunëtor i Mehmet Shehut apo për shkak të deklaratës se kryeministri kishte vrarë veten?
Pas një serie të gjatë dënimesh që kishte marrë Enver Hoxha, duke filluar që nga periudha e Luftës e më pas me radhë pas Çlirimit që u dënuan Koçi Xoxe e të tjerë, vjen fillimi i viteve '70, ku kemi një seri dënimesh me vdekje, por dhe me burgim të gjatë. Në fillim të viteve '80, kur shëndeti i Enver Hoxhës kishte marrë të tatëpjetën, pas vdekjes së Mehmet Shehut erdhën dhe dënimet e fundit, ku i dënuari kryesor ishte Kadri Hazbiu që mbante postin e ministrit të Brendshëm dhe ishte numri dy pas Enver Hoxhës.

Bashkë me Kadri Hazbiun u dënuan dhe Llambi Ziçishti që ishte ministër i Shëndetësisë në atë kohë. Pas një procesi hetimor që zgjati nga nëntori i vitit 1981 e deri në shtatorin e vitit 1983, Llambi Ziçishti u nxor në gjyq dhe u dënua me vdekje, duke u pushkatuar (më 17 shtator 1983) së bashku me Kadri Hazbiun, Feçor Shehun e Llambi Peçinin. Sipas deponimeve të ish-ministrit Ziçishti, të shkruara dhe firmosura prej tij në dokumentin në fjalë, ai pranon të ketë bashkëpunuar me ish-kryeministrin Mehmet Shehu, i cili që në vitin 1973 ka dashur që ta helmonte Enver Hoxhën, me anë të mjekëve kinezë që ai kishte thërritur apostafat nga Kina. Këta u akuzuan kinse sikur bënte pjesë në "organizatën kundërrevolucionare" të drejtuar nga Mehmet Shehu.

Këto akuza ishin më tepër qesharake se me baza të vërteta edhe duke u nisur nga konteksti i sotëm, por edhe po t'i referohesh kohës së atëhershme. Dënimi që iu bë Llambi Ziçishtit nuk u mor vesh me saktësi asnjëherë. Shpesh është aluduar se deklarata që ai kishte bërë pas vdekjes së Mehmet Shehut, se ishte një ekzekutim, mund të ketë qenë një arsye për ta eliminuar ish-ministrin e Shëndetësisë. Pasi mbaroi gjyqi i këtyre personaliteteve të sistemit të kaluar, u dhanë dhe vendimet që ishin tepër të rënda. Kështu u dënua me pushkatim Llambi Ziçishti, ndërsa Fiqret Shehun dhe Nesti Nasen me nga 25 vjet burg. Bie në sy dënimi me vdekje i Llambi Ziçishtit, për faktin se po të balancoheshin akuzat e tij me ato që kishte bërë vëllai i tij, Mihallaqi, kishin ndryshim të madh, për arsye se Mihallaqi kishte akuzë të tillë që mund të dënohej dy herë me vdekje.

Por Enver Hoxha e dinte se Llambi kishte shprehur dyshime për vrasjen e Mehmet Shehut, që pasi kishte parë kufomën kishte thënë me shkrim, se kjo nuk ishte vetëvrasje për të, pasi nga plagët dhe gjaku që shihte, nuk bindej. Por më vonë, nga frika e mohoi këtë thënie. E. Hoxha për të eliminuar çdo dyshim dhe që të mos qarkullonin më vonë fjalë, dha urdhrin që Llambi të pushkatohej, kurse Mihallaqin e kurseu duke nxjerrë arsyen se gjoja të mos pushkatoheshin dy vëllezër.

Cilat janë të fshehtat e njërit prej drejtuesve të njësitit gueril të Tiranës
Katër misteret që shoqëruan Myslym Ketën

Myslym Keta, i cili ka bërë një seri atentatesh ndaj armiqve dhe bashkëpunëtorëve të tyre, vjen sot dhe me anët e tij të errëta. Momenti i vdekjes ka lënë hije dyshimi për këtë figurë. Pasi bëri një aksident me makinë, asnjëherë nuk u përjashtua mundësia se mund t’i kenë bërë një atentat. Përveç vdekjes të mistershme, për Lym Ketën pa dyshim që hije dyshimi ka lënë dhe mënjanimi nga funksionet e larta drejtuese të Partisë dhe të pushtetit, duke i dhënë vetëm funksione të cilat edhe pse ishin prestigjioze nuk krahasoheshin me ato detyra që iu caktuan shokëve e tij të Luftës.

Misteri më i madh që lidhet me Myslym Ketën është padyshim momenti i vdekjes së tij. Ishte një aksident apo një atentat? Si u deklarua vdekja në atë kohë, pse mendohet se ka bërë një vdekje të imponuar, cili ishte amaneti i Lymit? Pse u arrestua shoferi që drejtonte makinën, kush ishte roli i Beqir Ballukut në këtë masë të shoferit?

Myslym keta ishte një nga kuadrot më të lartë të ushtrisë shqiptare. Ai pasi u kthye nga studimet që kreu në Moskë, emërohet komandant i Brigadës së Parë të Këmbësorisë. Ai gjithashtu është edhe një nga kuadrot e parë të ushtrisë shqiptare që kontribuan në themelimin e Brigadës së Tankeve. Në këtë sektor ai mbante titullin e lartë të “Mjeshtrit të klasit të parë”, në përdorimin e tankeve. Por jeta e tij në mënyrë krejt tragjike do të kishte një fund në momentin më të artë të karrierës së tij ushtarake. Myslym Keta niset për në Fushë-Arrës për arsye pune së bashku me shoferin e tij, ushtarin Petrit Topi.

Në momentin e kthimit për në Tiranë, makina e cila drejtohej nga Petrit Topi, përplaset me një shkëmb gjatë rrugës. Gjatë përplasjes së fortë të makinës, një nga hekurat e shkëputur prej aksidentit ngulet në kokën e ushtarakut të lartë, Lym Keta. Shoferi gjatë këtij aksidenti pëson disa tronditje të forta, por pa rrezik për jetën e tij. Lymi nga ajo përplasje ngeli i plagosur rëndë dhe në këtë gjendje ai urdhëron shoferin të qëllojë në ajër për lajmërimin e aksidentit, por më kot, pasi shoferi ishte i traumatizuar. Myslym Keta duke parë gjendjen e rëndë të shoferit, por dhe agoninë e vet, del nga makina dhe qëllon vet me armë duke dhënë alarmin. Pas afro 20 minutash, një makinë e rastit i jep ndihmën e parë. Kështu niset për në spitalin në Fushë-Arrëz.

Edhe pse i plagosur rëndë, ai u mbajt pa e humbur kujtesën deri sa mbërriti në spital. Sipas dëshmisë së shoferit që e transportoi, ai mblodhi forcat dhe u ngjit vetë në makinë edhe pse një pjesë të kokës e kishte të dëmtuar rëndë. Sapo mbërrin në urgjencë të vetmet fjalë të fundit që nxjerr nga goja në formë amaneti ishin “mos dënoni ushtarin tim, pasi nuk ka faj për aksidentin”. Lajmi i rëndë mbërriti shpejt në Tiranë. Kështu lajmërohet ministri i Mbrojtjes së asaj kohe, Beqir Balluku, për aksidentin. Ky i fundit urdhëroi të dërgohet një helikopter me disa mjekë për t`i transportuar të plagosurit në Tiranë. Por Keta dha shpirt para duarve të mjekëve të spitalit të Fushë-Arrëzit.

Duke marrë vesh si kishte ndodhur situata, Beqir Balluku dha urdhër të dënohet ushtari si përgjegjës i aksidentit. Dhe në fakt kështu ndodhi. Kjo humbje e Myslym Ketës është fshehur me mister të madh. Është aluduar nëse ishte një kurth apo një aksident i zakonshëm që nuk mund të evitohej. Për këtë u bë dhe ekspertiza, dhe u deshën disa ditë që të bëheshin të gjitha veprimet për të nxjerrë shkaqet e vërteta të aksidentit. Dhe rezultatet dolën ashtu sikurse priteshin, kolonel Myslym Keta ishte përplasur me shkëmbin, pasi automjeti kishte pasur probleme. Mirëpo deri në përfundim të hetimeve, ministri i Mbrojtjes, Beqir Balluku, qëndroi gjithmonë në ndjekje të të gjitha veprimeve.

Vetëm atëherë kur u siguruan se problemet ishin mekanike dhe se në timonin e makinës në momentin e përplasjes ndodhej Myslym Keta, vendosën ta lironin nga burgu edhe ushtarin Petrit Topi.
Si arriti Lym Keta të ishte një nga atentatorët më të spikatur të Luftës? Pse mori pseudonimin “Drapri”, kush ishin “shënjestra” e tij dhe si i ndërmerrte aksionet?
Në Luftën e Dytë Botërore, përveç aksioneve që bëheshin nga formacionet e organizuara partizane kishte dhe aksione të cilat merreshin nga individë të veçantë, të cilët ishin të inkuadruar në njësitet guerile që operonin nëpër qytete.

Njëri prej guerilasve ka qenë dhe Myslym Keta, i cili u tregua mjaft guximtar në ndërmarrjen e shumë aksioneve të rrezikshme. Në veprimtarinë e tij shënohen një numër i madh atentatesh ndaj forcave nazifashiste dhe bashkëpunëtorëve të tyre. Ai ishte fare i vogël kur u ngarkua me këtë sipërmarrje të vështirë, thuajse nuk i kishte bërë ende 14 vjeç. Por mosha e re atë nuk e pengoi aspak për t’u treguar një njeri i zoti në të gjithë aksionet që iu caktuan. Po t’ju referohesh dokumenteve të kohës, padyshim që Lymi del të jetë një nga ata që ka bërë më tepër atentate në kurriz të armikut. Duke qenë i tillë, ai nuk mund të rrinte pa pasur dhe pseudonime si rezultat i ndjekjes së vazhdueshme që i bënte armiku. Në fillim atë e njihnin me emrin “Tata” dhe ky nuk ishte epitet që e mori në Luftë, por buronte, si të thuash, nga vetë karakteri i tij.

Ishte në një moshë fare të re, por i riu nga Tirana shquhej për qetësi, thjeshtësi absolute dhe një karakter të fortë. Pikërisht për këto cilësi, ai filloi të thirrej nga pjesa më e madhe e personave “Tata”. Drejtuesit e njësitit gueril në Tiranë i dhanë epitetin e Luftës “Drapri”. Dhe këtë emër të dytë nuk ia vendosën pa qëllim. Myslym Keta kishte shumë aftësi në përdorimin e të gjithë llojeve të armëve të lehta dhe mbi të gjitha kishte një shënjestër të mirë. Por arma të cilën e përdori më shumë në Luftë ishte pikërisht mitralozi “beta”, që ua kishte marrë ushtarëve italianë. Sa herë që kryheshin aksione, ai qëllonte aq shumë dhe me preçizion saqë dukej sikur korrte.

Këtej e kishte “burimin” dhe epiteti që i vunë “Drapri”. Por ai kurrë nuk mburrej edhe pse mund të konsiderohet si një nga atentatorët më të mëdhenj të Luftës së Dytë Botërore. Shokët e tij tregojnë që Keta mbante gjithmonë me vete tri armë: një mitraloz të rëndë, një automatik dhe një pistoletë. Ishte i bindur se në çdo sulm që do të ndërmerrte do t`i nevojiteshin të gjitha armët.
Përveç armiqve të cilët do të ishin padyshim nën shënjestrën e Lymit, atij nuk i mungojnë rastet kur “kishte hequr qafe” dhe bashkëpunëtorët e pushtuesve të cilët vinin nga radhët e palës shqiptare. Shumë nga shokët e tij tregojnë raste kur Lymi pa iu trembur syri eliminonte ata që kishin bashkëpunuar me armiqtë.
Myslym Keta edhe pse ishte në një moshë fare të re, ndërmerrte aksione shumë të rrezikshme. Si arrinte ai të dukej në sytë e italianëve një “çunak” duke bërë që të kishte dhe rezultate më të larta në njësitin gueril të Tiranës? Si liroi 26 komunistë nga burgu?

Duke qenë në një moshë të re, Myslym Keta herë pas here nuk shikohej me seriozitetin e duhur nga ana e pushtuesve. Kjo situatë nuk zgjati shumë, pasi po shikohej që efektiviteti i Myslymit nuk ishte ai një çunaku, por tepër i lartë. Për këtë dhe nuk çdo deklaratë të kuesturës italiane jepej tanimë si një element i një rrezikshmërie tepër të lartë. Në çdo aksion të “Tatës” kishte një manovër tepër inteligjente. Mosha e njomë kishte ndikim vetëm në perceptimin e armiqve, duke bërë që edhe kur e arrestonin atë ta lironin përsëri, duke qenë të bindur që nuk mund t’u vinte e keqja nga një fëmijë.

Gjithsesi mund të thuhet që në aktivitetin e tij në njësitin gueril të Tiranës janë jo pak atentate në qendër të Tiranës. Një nga aksionet që bëri bujën më të madhe në atë kohë ka qenë një arratisje e organizuar nga Lym Keta dhe shoku i tij Adnan Qatipi, në burgun e Tiranës, nga ku ikën 26 komunistë që ishin arrestuar në Tiranë. Italianët mundën të arrestonin jo pak, por 26 komunistë, ndër më aktivët në kryeqytet. E ndërsa prisnin të dilnin para gjyqit, ndoshta edhe para skuadrës së pushkatimit, u organizua edhe arratisja e tyre. Ka qenë pikërisht data 29 prill e vitit 1943. Burgu 302 ruhej me shumë gardianë, të armatosur mirë. Sulmi i drejtpërdrejtë ishte i kotë dhe mund të kishte mjaft pasoja. Disa të burgosur hapën në fshehtësi një tunel të nëndheshëm brenda qelive të burgut për të siguruar arratisjen.

Informatat ishin të sakta. 14 metra tunel i nëndheshëm të çonte jashtë mureve të burgut, por problemi mbetej ende i pazgjidhur. Vendi ishte i ndriçuar dhe në momentin që do të dilnin do të binin në sy të italianëve. Në këtë mënyrë u caktuan Myslym Keta dhe Adnand Qatipi të prisnin telat e dritave në afërsi të centralit, që ndodhej vetëm pak metra larg burgut. Dy djemtë e rinj morën përsipër detyrën e vështirë. Në një aksion të realizuar në mënyrë të përkryer, dritat u ndërprenë pikërisht në momentin që 26 të dënuarit po arratiseshin nëpërmjet tunelit të nëndheshëm.

Shkëputja e energjisë solli çoroditje të madhe tek ushtarakët italianë. Pas stabilizimit të gjendjes ishte tepër vonë. Kështu 26 të burgosurit u arratisën. Ky operacion u konsiderua si mjaft i suksesshëm. Një pjesë e mirë e meritës u takonte dy djelmoshave të rinj, të cilët me veprimet që kryen siguruan çelësin e suksesit. Megjithatë nuk ishte e thënë që Keta të mbyllte aktivitetin e tij vetëm me këto veprime. Shumë atentate të ndodhura në kryeqytet mbajtën firmën e tij.
Pas Çlirimit ai ishte një nga kontribuesit më të mëdhenj të Luftës, duke u nderuar me titullin “Hero i Popullit”. Ai ishte ky titull gjithçka ai meritonte në atë kohë? Pse u shmang nga funksionet më të larta drejtuese, cilat ishin raportet e tij me Enver Hoxhën?

Ashtu si të gjithë kontribuesit në Luftën e Dytë Botërore, në vitet 1939-1945 edhe Myslym Keta pati një karrierë të sigurt, pasi roli i tij kishte qenë determinant në atë luftë. Kështu pas Çlirimit, Myslym Keta ka pasur një karrierë ushtarake të shkëlqyer. Kështu, ai fillimisht emërohet komandant i Gardës Kombëtare dhe i Repartit të Parë të Kavalerisë. Më pas, ai dërgohet në Bashkimin Sovjetik, për studime në shkollën e lartë të Këmbësorisë.

Ndërsa në vitin 1954 mbaron me rezultate shumë të mira edhe Akademinë më prestigjioze të Bashkimit Sovjetik, atë të Tankeve, në Fakultetin e Inxhinierisë. Pas mbarimit të kësaj akademie, Keta emërohet komandant i Brigadës së Parë të Këmbësorisë që qëndronte në mbrojtje të kryeqytetit. Për merita të veçanta që gjatë Luftës e më pas, Myslym Keta gradohet kolonel. Gjithsesi mund të thuhet se edhe pse ai pati këto arritje, duhet thënë se vlerat dhe kontributi i tij nuk është u vlerësuan aq sa duhet.

Nëse shokët që ndoshta mund të ishin dhe më poshtë se ai morën poste shumë të larta duke u bërë dhe ministra apo kryeministra. Kjo shmangie herë-herë është parë dhe si një kapriço e Enver Hoxhës, duke qenë se karakteri i Lymit nuk përmbante brenda servilizmin që jo shumë prej shokëve të tij e shfaqën kundrejt Sekretarit të Parë të Partisë. Kjo ka qenë dhe një arsye edhe pse raporti i Myslym Ketës mendohet të ketë qenë i një niveli dytësor, kjo gjithmonë për sa i përket raportit real, se sa për sy e faqe ato ishin mjaft të mira, pasi siç dihet Enver Hoxha ishte mjeshtër i konjukturave.