martedì 18 maggio 2010

David Kameron, njeriu dhe politikani: Rruga e tij drejt postit të kryeministrit


Kryeministri i ri britanik David Cameron është njeriu që udhëhoqi konservatorët në fushatën për të rimarrë pushtetin pas 13 vjetësh. Por përshtypjet për të janë nga më të ndryshmet. Ai është përpjekur shumë ta paraqesë veten si një udhëheqës vizionar me ide të reja dhe moderne, por prejardhja e tij nga klasa e pasur dhe shtresa e privilegjuar britanike e ka bërë gjithmonë objekt kritikash si njeri që nuk përfaqëson pikëpamjet dhe interesat e masës.
Është vështirë të krijosh një përshtypje të saktë për David Kameronin thjesht duke lexuar shtypin britanik. Një gazetë britanike publikoi një portret të tij me ngjyra blu e kuq, të ngjashme me portretin e Barak Obamës, me diçiturë fjalët "Shpresa Jonë e Vetme". Një tjetër, publikoi një fotografi të tij nga vitet e rinisë, duke e portretizuar si një i ri i pasur, i shkolluar në Oksford. Kameron është një britanik modern, i sofistikuar, i cili është përpjekur ta paraqesë veten si i përkushtuar ndaj mbrojtjes së mjedisit dhe si një njeri i thjeshtë që shkon në punë me biçikletë.