giovedì 6 maggio 2010

Këshilli i Ministrave publikon listën e çmimeve që janë shitur


Kushdo që është i interesuar për një automjet të lirë, në gjendje shumë të mirë dhe me letra të rregullta, duhet të drejtohet drejt Kryeministrisë. Pasi janë hedhur në ankand, disa nga makinat që u janë hequr zyrtarëve, janë shitur nga qeveria me çmime shumë të ulëta. Vlera e blerjes së automjeteve ka lëvizur shumë pak nga vlera fillestare me të cilën ato janë hedhur në ankand. Ditën e djeshme, Këshilli i Ministrave ka publikuar emrat e ofertuesve dhe të blerësve vetëm për 14 makina, ndërkohë që disa të tjerë i ka çuar për verifikim informacioni.
Shitja e automjeteve
Automjetet që në tregun e makinave mund të gjenden me çmime të larta, në Kryeministri mund të përfitosh duke i gjetur ato me çmimin dysheme. Kështu, një “Volsvagen Passat” që në treg mund ta gjesh në 8 mijë deri në 9 mijë euro, është blerë vetëm me 400 mijë lekë. Automjetet e tipit “Opel Omega” janë shitur me çmime që variojnë nga 130-155 mijë lekë. “Opel Astra” është shitur me një çmim nga 100 mijë deri në 200 mijë lekë. Një “Benz ML”, i cili në treg shitet me 15 mijë euro, është blerë me 520 mijë lekë. Megjithëse lista e ankandit përmbante më shumë makina, deri tani janë publikuar vetëm 14 fitues, të cilët dje kanë filluar procedurat e shitblerjes së automjeteve.
Ofertat
Ajo që të bie në sy ndër ofertuesit, është emri i një personi të vetëm i cili ka aplikuar disa herë për të blerë disa makina të ndryshme. Z. Xhovan Saraçi ka fituar ankandin e tre automjeteve të tipit “Benz ML” për 520 mijë lekë, “Hyundai Terracan” për 520 mijë lekë, dhe “Opel Frontera” për 310 mijë lekë. “Në radhët e emrave të cilët kanë bërë aplikimin për të blerë një makinë, është edhe këshilltari i kryeministrit Sali Berisha, Glori Husi, i cili ka çuar dokumentacionin për të blerë një automjet të tipit “Hyundai Terracan”, që ishte në ankand vetëm për 357.2 mijë lekë.