Sport



Van Marwijk: Holanda mund të luaj më mirë.

Holanda, përkundër faktit se ka siguruar kualifikimin, nuk ka shfaqur lojën e shkëlqyer që jemi mësuar të shohim nga ky reprezentacion, ndërsa për këtë ka arsye përzgjedhësi Bert van Marwijk, që shprehet se skuadra e tij di dhe mund të luaj më mirë.

“Është gjithnjë mirë të fitosh dy herë radhazi dhe ne kemi arritur të kualifikohemi në fazën tjetër. Gjithmonë shpresoni se mund ta bëni, nuk është aq e lehtë sa tingëllon. Kështu që, nëse e arrini këtë, mund të jeni mjaft të kënaqur. Por, ka ende hapësirë për t’u përmirësuar ekipi gjatë kampionatit. Ne mund të luajmë më mirë. Për shembull, në ndeshjet miqësore ndaj Meksikës, Ganës dhe Hungarisë, ne luajtëm në mënyrë më atraktive dhe shënuam shumë më shumë gola”.
“Por, e shihni që në Botëror është shumë më vështirë. Të gjithë duan të shënojnë një ose dy herë brenda 10 minutave, por nuk është dhe aq lehtë. Kundërshtarët janë gjithnjë shumë mirë të organizuar. Në përgjithësi, ndaj neve luajnë shumë lojë defensive, kështu që ka më pak hapësira në gjysmëfushën e kundërshtarëve. Ndeshjen ndaj Kamerunit e marr shumë seriozisht, pasi që lojtarët duhet të tregojnë çfarë kanë mësuar. Ne duam të përmirësohemi pas secilit takim”, deklaroi Van Marwijk për gazetarët