domenica 2 maggio 2010

JOHANN S. BACH


Cfarë mund të thotë dikush për njeriun që besonte se muzika ekziston për nderimin e Perëndisë dhe për kënaqësinë e zemrës? U karakterizua si ‘’poeti i tingujve, gjigandi i papërkulur, i pa lodhur, dhe misterioz’’, duke besuar gjithmonë në misonin fetar të muzikës, një njeri që tregonte mirënjohjen e tij ndaj Perëndisë pavarësisht të gjitha aventurave dhe testimeve që kaloi gjatë gjithë jetës së tij. Fetarizimi i tij, muzika dhe vdekja do të lëjnë shenja të thella tek Bahu, që nga fillimi e deri në fund. Karakteristikat kryesore të këtij kompozitori të madh ishin, fuqia e shpirtit dhe kreativiteti, që nuk u përkulte kurrë ndaj vështirsive, por cdo herë celikoste psikikën e tij dhe vazhdonte të kompozonte gjithmonë në shenjë mirenjohje ndaj Perëndisë dhe duke falur njerëzit.

U lind në Ajzenah të Gjermanisë me 21 Mars të vitit 1685. Në të njëjtën ditë vdes vëllai i tij Johan Jonas. Familja e tij kishte humbur deri atëherë 2 fëmijë nga murtaja që korrte zonën e Turingit. Vijon një seri vdekjesh në familje me kulmin e tyre, vdekjen e prindërve të Bahut, fillimisht të së ëmës dhe në vazhdim të të atit. Kështu në moshën 10 vjecare , Sebastiani i vogël mbetet jetim dhe vendoset në shtëpinë e vëllait tij të madh Johan Kristof, në Orndruf, i cili ishte i emëruar si organist. Sebastiani i vogël dallohet për aftësitë e tij muzikore, duke krijuar gati zilinë e vëllait të tij, i cili refuzon për ti dhënë partiturat e muzikantëve të mëdhenj me veprat e tyre të vështira, që ai vetë vështirsohej për të interpretuar, nga frika se Bahu do tja kalonte. Kështu Sebastiani kopjon fshehurazi, gjatë natës, veprat e kompozitorëve të vjetër, që të mos kuptohej nga vëllai i tij.

Në moshën 15 vjecare braktis shtëpinë e të vëllait të tij për të kërkuar një jetë më të mirë dhe për të testuar fuqitë e tij. Vendoset në Lineburg ku punon pa pushuar për të mbijetuar, dhe vendos kanditaturën për vendin e organistit të Zangerhauzen. Ky vënd do ta ndjekë dhe më vonë në kisha të ndryshme, ku merr edhe kompetenca të tjera si arsye e aftësive të tij organizative dhe njohurive të tij teknike përsa i përket instrumenteve të kishave. Titulli i Kantorit është përputhur me emrin e Bahut.

Në moshën 18 vjecare, tashmë i njohur, zotëron vëndin e organistit në Arnstad, qytetin qe do ta shënjojë atë si për mirë ashtu edhe për keq. Në drejtimin e një kori, të përbërë nga të rinj të së njëjtës moshë me atë, apo dhe më të mëdhenj, ka probleme mosbindjeje , dhe si rezultat sillet shumë ashpër kundër tyre, duke marrë kritika por edhe sulme, akoma edhe nga përgjegjësit e kishës. Nuk tregonte asnjë lloj butësie përsa i përkiste cështjeve të muzikës dhe ishte njëlloj i rreptë edhe me veten e tij gjithashtu. Kërkonte perfeksionin dhe nuk falte as devijimin apo eksperimentimin më të vogël në ligjet dhe rregullat e Artit. Duke parë reagimet dhe pa dashur të bëjë kompromise, vendos të japë dorëheqjen nga drejtimi i korit, dicka që krijoi shumë komente në shoqërinë e vogël të Arnstadit. Për të lehtësuar situatën, Bahu vendos të largohet nga qyteti, dhe kështu i jepet mundësia të ndjekë mësimet e Bukstehunde, një nga muzikantët më të mëdhenj të asaj periudhe.

Në vitin 1708, e gjejmë organist dhe drejtor muzike në oborrin e Vajmarit dhe të martuar me Maria Barbarën. Bashkë do të sjellin në jetë shtatë fëmijë nga të cilët vetëm katër do të mbijetojnë. Pas dymbëdhjetë vitesh martesë do të humbë edhe bashkëshorten e tij nga një epidemi vdekjeprurëse. Megjithatë nuk do të pushojë së kompozuari kantatet e tij , ku falenderon Perëndinë por edhe i lutet që ta lehtësojë nga hidhërimet , dhe ti falë vdekjen. Karakteristika e këtij qëndrimi janë kantatat ‘’I shenjtë njeriu që i nënshtrohet testimeve’’, ‘’ Përjetësia, fjalë që të djeg si rrufeja’’, ‘’Pranoj me gëzim të ngre kryqin tim’’, por edhe tek ‘’Psherëtimat, lotët e mi’’, ‘’Sa hidhërim!’’, ‘’Ah, sa e kotë jeta njerëzore’’. Por megjithatë nuk tërhiqet. Vazhdon të krijojë dhe të jetojë duke ofruar më të mirën që zotëronte , jo vetëm nga muzika e tij por edhe nëpërmes jetës së tij, ashtu sic tregon gruaja e tij e dytë, Anna Magdalena, me të cilën do të sjellë në jetë 13 fëmijë nga të cilët do të mbijetojnë shtatë.

Në vitin 1723 është kantor i tempullit të Shën Tomës dhe drejtor muzike në qytetin e Lipsisë. Vitin e ardhshëm do të bëhej Kryemuzikant në oborrin e princit Leopold të Ketenit. Kjo ishte një periudhe e pasur prodhuese e jetës së tij, që do të zgjasë për shumë vite , deri në vdekjen e tij në vitin 1750. ‘’Pasionet’’ e tij të medha, ‘Sipas Mateut’’ dhe ‘’sipas Joanit’’, shkruhen në atë periudhë. Por vepra e cila gjithashtu do të karakterizojë Bahun dhe kontributin e tij në muzikën klasike është edhe ‘’Arti i Fugës’’, i kompozuar në vitin 1740. Arrin të kombinonte në veprën e tij elementët muzikorë dhe traditat shpirtërore të së kaluarës dhe të epokës së tij, më ndikime të fuqishme nga muzika italiane dhe nga ajo franceze, ndërsa paralelisht fuste rrugë të reja muzikore sidomos tek vepra e tij e fundit, kënga e mjelmës së tij. Pas kësaj do të vijojë gati i verbuar rrugën drejt errësirës së përjetshme – apo ndoshta dritës së përjetshme?

Përvec operas, Bahu ka kompozuar dhe cdo lloj tjetër muzike. Nga himnet e mëdhenje fetarë, suita me vallëzime të shumëllojshme, vepra për piano, organo, violinë, violencel, akoma dhe këngë të thjeshta zëri, mesha, dhe pjesë të tjera të hijshme muzike dhome (sallone oborresh), duke përdorur kryesisht artin e vështirë të kontrapunktit dhe duke zhvilluar muzikën e llojit të tij me artin e fugës. Muzika për Bahun ishte një gjë unike, jo një gjë dhe një tjetër, jo e lehtë dhe e rëndë, jo shprehje e madhe, e mesme apo e vogël, jo muzikë për shumë apo për pak njerëz, jo muzikë për Perëndinë dhe tjetër për argëtimin e njeriut.

Dhe me të vërtetë muzika e Bahut i drejtohej të gjitha klasave shoqërore, akoma dhe kur ftohej të luante për princa, konta etj. Në ditët e tija të gjitha klasat popullore, me qendër kishën bëheshin pjesë e muzikës dhe spiritualizmit të nivelit të lartë që ajo ofronte, nëpërmes veprave të Bahut. Bah nuk shkruante muzikë, përshkruante. Përshkruan imazhe, ndjenja, mendime, duke funksionuar në mënyrë shpaguese ashtu sikur dhe tragjedia greke, duke himnuar gjithmonë Perëndinë, duke konsideruar se ‘’gjithcka që Perëndia bën është gjëja e duhur’’, ashtu sic dëshmon edhe kantata e tij. Kështu, le të mos na habisë krahasimi i veprave të tij , me Horestinë të Eskilit apo me veprat e Shekspirit, të cilat përbëjnë bashkë me të një Trini, që shumë kritikë konsiderojnë që do të ekzistojë për shumë vjet akoma. Ekzagjerim? Përkundrazi .

Me cdo lloj mënyrë që interpretohen veprat e tij, Bahu zgjeron gjithcka në një Univers të pakufi. Mahnitet përpara krijimeve të Perëndisë dhe për këtë ndjen nevojën për ta falenderuar me cdo vepër të tij. Spirtualizmi dhe brendësia e veprave të tij, dëshmojnë marëdhënien e kompozitorit të madh me botën e padukshme, me përjetësinë, pavdekshmërinë e shpirtit, shpagimin që ai ndjente në kontaktin e tij me shenjtërimin dhe me muzikën që ka si qëllim lartësimin drejt Perëndisë. E tërë jeta e tij është e thurur bashkë me veprën e tij. Nga të gjitha ngjarjet dhe karakteristikat e jetës së tij , me e rëndësishmja është mënyra me të cilën përballonte testimet e vështira që jeta i solli, ashtu si edhe devotshmëria tek vepra e tij, puna e palodhur dhe sensi i kontributit, studjimi i vazhdueshëm me qëllim zhvillimin e muzikës së tij. Bah arrin të përballojë jetën më një mënyrë heroike dhe konstante. Jeta e tij u përngjasua me si një ‘’ partiturë e shkruajtur pastër dhe shkëlqyeshëm’’, ku sipër saj shkruhet struktura e kompozitorit dhe veprat e tij, pa ngut, natyrshëm, ashtu sic rritet një filiz.

Shumë mbështetnin idenë se nevojitet një përqëndrim i madh shpirtëror që të ndjekë dikush veprat e Bahut, ashtu sic nevojiste dhe ai për ti kompozuar. Dhe një pasardhës i tij tha se, nuk di se ku të qëndrosh në mënyrë që të jesh kaq i fortë dhe i denjë për të dëgjuar këtë muzikë. Sido që të jetë, e sigurtë është se ky lloj njerëzish dhe këto vepra përbëjnë ushqim për psikinë dhe shpirtin e cdo njeriu. Kur vetë jeta është një pasqyrim i veprës, atëherë këta njerëz marrin vlerë më të madhe, duke u bërë shembull për cdonjërin nga ne.

Albert Shvaicer, duke folur për Bahun dhe duke komentuar fjalët e Johan. T. Mozavius, në vitin 1845, thotë: ‘’ uroj që Bahu të ndihmojë që epoka jonë të arrijë në përqëndrimin shpirtëror dhe në brendësinë që i mungon’’. Nëse një gjë e tillë ishte e nevojshme në atë periudhë, sa e nevojshme është edhe sot dhe sa më tepër do të jetë nesër? Kurrë më parë Bahu nuk ishte më i nevojshëm se sot, dhe se sa do të jetë nesër. Johan Sebastian Bah është njeriu që ka lënë shenjat e tij të thella në kohën dhe në vëndin, jo vetëm të muzikës apo të artit, por të vetë Historisë së Njerëzimit.