martedì 18 maggio 2010

Orhan Pamuk


Ferit Orhan Pamuk, lindur më 7 maj 1952 në Stamboll, fitoi çmimin Nobel për Letërsi më 12 tetor 2006, duke u bërë i pari turk që e fiton këtë çmim.
Ai është autor i romaneve "Xhevdet Bej dhe djemtë e tij" (Cevdet Bey ve Ogullari, 1982); "Shtëpia e heshtur" (Sessiz Ev, 1983); "Kështjella e bardhë" (Beyaz Kale, 1985); "Libri i zi" (Kara Kitap, 1990); "Jeta e re" (Yeni Hayat, 1995); "Emri im është kuq" (Benim Adim Kirmzi, 1998); "Ngjyrat e tjera" (Öteki Renkler, 1999); "Stamboll: Kujtimet e një qyteti" (Istanbul: Hatiralar ve Shehir, 2003) e tjerë.
Ai ka fituar çmimet më të larta letrare në Turqi, në Britani, Francë, Itali, Suedi dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Është Doktori Nderi i disa universiteteve të botës.

Orhan Pamuk ka lindur në 7 qershor 1952 në Staboll në një familje të pasur. I ati ka qenë inxhinier. Ai studioi në Kolegjin Robert dhe më pas për arkitekturë në Universitetin Teknik të Stambollit dhe njëkohësisht të gazetarisë në Universitetin e Stambollit. Në vitin 1982 u martua me Aylin Turegen, me të cilën u divorcua më 2001. Ka një vajzë, Ruyan (1991). Në vitet 1985- 1988 u mor me kërkime pranë Universitetit të Kolumbias në Nju Jork dhe për një kohë të shkurtër në Universitetin e Iouas. Orhan Pamuk jeton në Stamboll.

Përvojën e tij të një jete mes traditës osmane të familjes dhe përqasjen me stilin perëndimor të jetës, ai e ka përshkruar me tri gjeneratat në romanin e tij të parë “Xhevdet Beu dhe të bijtë” (1982) dhe më pas reflektimet e lëvizjeve shoqërore të kohës në romanin “Shtëpia e heshtjes” (1983). Popullariteti i tij ndërkombëtar nis me botimin e romanit “Kështjella e bardhë” (1985), roman historik për Stambollin e shekullit 17. Ky është libri i parë i botuar në gjuhën angleze.

Më pas njohja e tij pason me botimin e romanit “Libri i zi” (1990), që provokoi debate në Turqi për shkak të referencave të tij sufiste. Mbi këtë libër është bazuar edhe filmi “Gizli Yuz” (1992). Romani “Jeta e re” (1994) që pason veprën e tij është një rrëfim mbi shpirtin mistik dhe reminishencat e kulturës popullore dhe miteve turke, përmes një të ashtuquajturi libër me një aftësi për të të ndryshuar jetën nëse e lexon.

Në vitin 2000 Orhan Pamuk prezantohet me “Unë jam e kuqja”, ku siç shprehet ai, tema kryesore është raporti mes Lindjes dhe Perëndimit, mes përshkrimit nëpërmjet pikëpamjeve të ndryshme të artistëve të lidhura me këto kultura. Romani i tij “Bora” (2002) i vendos ngjarjet në kufirin lindor të Turqisë, në qytetit Kars, dikur kufiri mes perandorisë osmane dhe asaj ruse. Romani përshkruan konfliktet politike dhe fetare të turqve të sotëm përmes jetës së një shkrimtari të mërguar në Perëndim. Në vitin 2004 Pamuk boton “Stambolli: Kujtime dhe qyteti”, një portret i tij për qytetin e lindjes, i bazuar në melankolinë që sheh në jetën e njerëzve të këtij qyteti. Të gjithë veprat e Pamuk kanë gjurmë autobiografike.

Qysh në fëmijërinë e tij, Pamuk ka lexuar lehtësisht në gjuhët frënge, ruse dhe angleze. Orhan Pamuk është botuar në dhjetëra gjuhë të botës dhe vitet e fundit ka qenë në listën e autorëve më të shitur në Perëndim. Vepra e tij rreshtohet në rrëfimet postmoderniste dhe është krahasuar nga kritika me atë të Kafkës, Borhesit, Kalvinos dhe Markezit.