venerdì 18 giugno 2010

Afrika 2010. Podolski kërkon falje për penaltinë.



Lukas Podolski, njëri ndër fajtorët e triumfit serb ndaj Gjermanisë, ka kërkuar falje për penalltinë e humbur nga ai, duke thënë se kurrë në jetën e tij nuk e ka ekzekutuar më keq një penallti.

“Zakonisht nuk i gjuaj aq keq penaltitë, zakonisht jam më preciz. Por, më duhet të kërkoj falje për penaltinë e humbur. Humbja është mjaft e hidhur. Ne kemi mundur të fitojmë, e që do të na sillte një hap më pranë fazës 1/8”, theksoi pas ndeshjes Podolski.

Gjermania duhet të mposhtë patjetër Ganën në duelin e fundit dhe vendimtar për kualifikim.
Tekniku gjerman, Joachim Loew, është një nga motivuesit më të mëdhenj në botën e futbollit, e tregon fakti që menjëherë pas disfatës skandaloze nga Serbia, ka premtuar kualifikimin në ndeshjen e fundit ndaj Ganës.

“Klose është dashur të jetë më i kujdesshëm në atë rast... Ne nuk ishim aq dominues sa kemi planifikuar. Ne kemi ende mjaft cilësi për t’u kualifikuar dhe nuk duhet të jemi kokulur. Ne e kemi fatin në dorë dhe ju garantoj se do të kualifikohemi në fazën 1/8 të finales”, theksoi trajneri.

Nga ana tjetër, për kartonin e kuq që mori, Klose tha se ai pati për qëllim t’i ndihmonte ekipit dhe se kartoni nuk ishte i drejtë.

Barazim sensacional i SHBA-ve

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë një rikthim të jashtëzakonshëm nga disavantazhi prej dy golash, për të barazuar me rezultat 2-2 përballë liderit të Grupit C, Sllovenisë.

Sllovenia shfaqi lojë shumë më të mirë në 45 minutat e para, ndërsa këtë e dëshmoi edhe rezultati prej 2-0.

Valter Birsa shënoi një gol të bukur për të kaluar sllovenët në epërsi (13’), ndërsa Zlatan Ljubijankic dyfishoi dhe vendosi rezultatin e pjesës së parë (42’).

Me të filluar pjesa e dytë (48’), Landon Donovan shënoi një gol të jashtëzakonshëm për t’i dhënë shpresa skuadrës së tij për një rezultat pozitiv.

SHBA-të ishin skuadër dominuese në fraksionin e dytë të lojës, dhe më në fund arritën që ta barazonin rezultatin me anë të Michael Bradley (82’).

Pas këtij barazimi, Sllovenia kryeson Grupin C me katër pikë, ndërsa SHBA-të mbajnë vendin e dytë me dy pikë, para takimit tjetër të xhiros së dytë të këtij grupi ndërmjet Anglisë dhe Algjerisë.