domenica 25 aprile 2010

Prona kombëtare, që u shndërrua në një bezdi shoqërore duhet ti kthehet publikut



Televizioni Publik Shqiptar këto ditë pritet që të festojë dhe 50-vjetorin e krijimit të tij. Një institucion që dikur e kishte pranë publikun, ndërsa sot ai pothuajse e ka humbur atë. Në ekranin e tij këto ditë po jepen disa emisione, të cilat përveç nostalgjisë së krijimit të tij para 50 vitesh, nuk kanë në qendër të tyre asnjë prej problematikave që ka sot ky televizion shtetëror,

që dikur një gjingad mediatik, sot të ngjan me një ngrehinë. Tashmë kur në ekranin e tij ftohen dhe flasin njerëz të ndryshëm, personalitete të artit dhe kulturës askush nuk flet mbi gjendjen e tij sot, ku përballë mediave të tjera private ai ngjan si një relike e vjetër. Megjithëse ky televizion, mbahet me taksat e shqiptarëve në ekranin e tij ai shfaq një programacion të varfër. Ndërkaq që Kryetari i Këshillit Drejtues disa kohë më parë për problemet në televizionin publik z.Agron Tufa pohon se problemi teknologjik, numri ndoshta i madh i punonjësve, pra mundësitë jo të barabarta me të televizioneve të tjera, të gjitha këto reflektojnë në cilësinë e transmetimit në RTSH. Një nga themeluesit e RTSH, Mevlan Shanaj shprehet se sot ky institucion duhet që ti kthehet publikut. RTSH është jeta ime, është rinia ime, është shfaqja ime, është dhe krijimi i emrit tim. Me anë të punës që ne bëmë arritëm që kemi këtë emër dhe këtë angazhim për tu shfaqur dhe për të denoncuar. Unë sot dua të them, se denoncoj pushtetin jo aktual, por atë pushtet që nga tranzicioni deri tani, dhe nuk po them në të kaluarën pasi ai e kishte 100 për qind, por dhe ky pushtet duhet të distancohet sa më parë për tia kthyer publikut RTSH-në, thekson Shanaj. Më tej duke folur për këtë institucion ai tregon se ai është publik dhe jo i pushteteve, ku sipas tij ai tashmë është kthyer në një bezdi shoqërore. Për dy orë program janë vetëm lajme dhe për këtë kohë ata mbajnë peng të gjithë emrin dhe personalitetin e atij televizioni, që u krijua dhe me një investim shumë të madh. Ai është pronë kombëtare, që u shndërrua në një bezdi shoqërore. RTSH duhet ti kthehet publikut dhe të iki pushteti, sepse nuk është pronë e tyre, pasi ai është pronë e shqiptarëve mbahet me taksat tona. RTSH është 100 për qind i skllavëruar nga menaxhimi i pushteteve me radhë, tregon ndër të tjera Shanaj. Tashmë të mësuar me programacionin e varfër që ofron prej vitesh ky institucion, do të ishte çudi që të prisnim ndonjë program të larmishëm nga ky televizion shtetëror. E ndërkohë që mediat private duket se e kanë konkurruar me kohë RTSH, pasi si nga teknologjia, programacioni, jo vetëm gjatë ditëve të festave por dhe gjatë ditëve në vijim ata ofrojnë për shikuesit një program të larmishëm, me spektakle, humor, muzikë, filma premierë, dokumentarë të veçantë historikë dhe shkencorë, por dhe shumë programe të veçanta për të rinjtë dhe fëmijët, dhe të gjitha këto janë prodhime të vetë këtyre mediave private. E them me keqardhje që Radiotelevizioni Shqiptar është me të vërtetë për ti qarë hallin! Ai i ngjan një ngrehine dikur të madhe e të rëndësishme, por të rënë nga vakti. Një gjëje që përpiqet ta ruajë atë madhështi të dikurshme, por që është e vështirë të kthehet më. Madje edhe ata që janë brenda kësaj ngrehine të madhe nuk besojnë që ajo do e marrë veten përsëri, dhe do fitojë jo vetëm shkëlqimin, por sidomos peshën që ka pasur. Pra është një gjë pa peshë, ose për të mos qenë fort i ashpër: me fare pak peshë. Kjo në të gjitha vështrimet: jo nga pamja e jashtme, por sidomos nga brenda, nga ajo çka përfaqëson dhe çfarë bën, kujt i shërben, kujt i vlen dhe si i përfaqëson ato interesa që duhet të përfaqësojë, është shprehur kohë më parë për këtë institucion Petrit Ymeri, anëtar i Këshillit Drejtues të RTSH. Sa i takon programacionit që shfaq mund të pasurohej akoma më shumë me emisione të natyrës letrare, artistike, historike apo sociale, por kjo nuk është përmendur këto ditë kur të gjithë presin festimet për 50-vjetorin e këtij
institucioni.