giovedì 22 aprile 2010

Kapen valë radioje nga një tjetër galaksi...

Disa valë të çuditshme radioje janë kapur përpara pak ditësh nga një grup shkencëtarësh. Ende nuk dihet origjina e tyre...

Ka diçka të çuditshme nga komshinjtë tanë kozmikë. Një objekt i panjohur në galaksinë pranë nesh, me emrin “M82”, ka nisur të dërgojë valë radioje dhe dërgimi i tyre nuk i ngjan asnjë fenomeni të parë më parë në univers. “Ne nuk e dimë se çfarë është ajo”, – thotë njëri prej zbuluesve, Tom Mukslou i Qendrës për Astrofizikë të Jordell Bank, pranë Maklesfilldit në Mbretërinë e Bashkuar.

Fenomeni u shfaq majin e kaluar, ndërkohë që Mukslou dhe kolegët e tij po monitoronin një shpërthim të palidhur yjor në “M82”, duke përdorur rrjetin MERLIN të teleskopëve radiofonikë në Mbretërinë e Bashkuar.

Një sasi valësh radiofonike u shpërndanë vetëm për disa ditë, diçka shumë e shpejtë për termat astronomikë. Ajo qartësisht nuk është një shpërndarje valësh radiofonike të një supernove: ato zakonisht bëhen të dukshme përgjatë disa javëve dhe pastaj humbasin përgjatë muajve, me një spektër radiacioni që ndryshon vazhdimisht.

Burimi i ri nuk duket se ka ndryshuar vezullimin përgjatë vitit dhe spektri i tij është statik. Megjithatë, ajo duket se lëviz dhe madje shpejt: shpejtësia e saj duket se është katër herë më e madhe se shpejtësia e dritës.

Një shpejtësi e tillë marramendësi dhe deri diku “superluminale” është parë edhe më parë nga materiale që përthithen nga vrimat e zeza. Përmbajtja e këtyre lëndëve lëviz drejt nesh me një kënd të vogël dhe udhëtimi sjell që efekti i relativitetit prodhon një farë iluzioni optik që bën këtë sasi të duket si superluminale.

“A mund që ky objekt të jetë një vrimë e zezë?”, ajo nuk është dhe aq në qendër të “M82”, aty ku astronomët mund të mendonin se do të gjenin një vrimë të zezë supermasive qendrore siç ndodh në shumicën e galaksive të tjera.

Kjo na lë në mundësinë që ajo të jetë një mikrokuazar. Një mikrokuazar formohet pasi një yll i madh shpërthen, duke lënë pas një vrimë të zezë 10 deri në 20 herë në madhësinë e diellit, që nis të ushqehet me gaz nga një yll tjetër që është ende gjallë.

Mikrokuazarët prodhojnë gjithashtu një sasi të madhe rezesh X, por asnjë rreze X nuk është parë nga objekti misterioz. “Pra as kjo nuk është e vërtetë”, – tha Mukslou për revistën “Shkencëtari i Ri” (New Scientist-Nju Sajëntist).

Hamendësimi i tij më i mirë është që burimi i radiovalëve është një objekt kompakt, i cili hedh materiale përtej, ndoshta një vrimë e madhe e zezë ose një vrimë e zezë në një mjedis të pazakontë.

Ndoshta fenomeni ndodh disa herë edhe në galaksinë tonë, por është më e përhapur në “M82”, për shkak të sasisë shumë të madhe të yjeve që ka kjo galaksi dhe që shpërthejnë shumë më shpesh sesa në “Rrugën e Qumështit”, duke krijuar një sërë vrimash të reja të zeza.

Mukslou do të raportojë zbulimin në Takimin Kombëtar të Shoqërisë Mbretërore Astronomike në Gllasgou të Skocisë, në Mbretërinë e Bashkuar.